Një 30-vjeçare është gjetur e pajetë në një banesë në rrugën “Gjon Muzaka” këtë të mërkurë.
Identiteti i saj ende nuk është zbuluar, por sipas policisë dyshohet se viktima është shtetase e huaj.
Mësohet se 30-vjeçarja bashkë me partnerin kishin marrë me qira apartamentin në datën 19 shkurt. Ata kishin paguar për 10 ditë qëndrimi në banesën ku gruaja u gjet e pajetë.
Ndërkohë, pasi pronarët e shtëpisë kanë vënë re se prej dy ditësh, në banesë nuk hynte dhe nuk dilte askush, kanë njoftuar policinë.
Pasi efektivët kanë hyrë në banesë, kanë identifikuar gruan e qëlluar me thikë.
Nuk dihet ende nëse autor i vrasjes së saj ka qenë personi me të cilin ndante qiranë, ndërkohë që priten detaje nga hetimi.