Policia e Elbasanit ka zbardhur 3 raste të vjedhjes në banesa dhe 1 rast të tentativës për vjedhje.
Uniformat blu kanë vënë në pranga autorin e dyshuar, i cili ka precedent të mëparshëm kriminal në fushën e vjedhjes së pronës.
Ai akuzohet se ka vjedhur para dhe bizhuteri në tre banesa të ndryshme të qytetit si dhe ka tentuar të vjedhë në një dyqan ushqimor.
“Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen e rasteve të vjedhjes së pronës dhe pasurisë, identifikimin dhe kapjen e autorëve të dyshuar, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në kuadër të operacionit policor të koduar “Përsëritësi”, kapën dhe ndaluan shtetasin:
E. B., 33 vjeç, banues në Elbasan.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 33-vjeçari është autor i 3 rasteve të vjedhjes në banesa konkretisht:
-më datë 05.12.2024 ka vjedhur bizhuteri në banesën e shtetasit D. V.;
-më datë 03.12.2024 ka vjedhur bizhuteri në banesën e shtetasit E. D.;
-më datë 07.12.2024 ka vjedhur një shumë të konsiderueshme parash në banesën e shtetasit F. K..
Gjithashtu, 33-vjeçari ka tentuar të vjedhë në dyqanin ushqimor në pronësi të një shtetaseje, në lagjen “Skënderbej””, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./Opinion.al