Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result
KONTAKT
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë
Opinion.al
Nuk ka rezultat
View All Result

Viti 2023 në Kosovë, diplomacia që nuk shmangu tensionet

2023/12/30 at 9:53 AM
në Rajoni, Te Fundit
Kohë leximi: 11 min
A A
Viti 2023 në Kosovë, diplomacia që nuk shmangu tensionet

Me 24 shtator, Kosova u gdhi me lajmin se një pjesëtar i policisë mbeti i vrarë dhe të paktën dy të tjerë u plagosën gjatë përleshjeve me një grup të armatosur në veriun e banuar me shumicë serbe.


Tre pjesëtarë të grupit u vranë gjatë përleshjeve që zgjatën pothuajse tërë ditën, duke ngritur shqetësimin për qëndrueshmërinë në rajonin e brishtë.

Policia tha se gjeti një sasi të konsiderueshme armatimesh në zonën e manastirit ortodoks të fshatit Banjskë, ku ishin strehuar sulmuesit.

“Një veturë rëndë e blinduar, vetura xhip 24 copë, motorë 4×4 2 copë, mina kundër këmbësorisë 8 copë, zolla të mbushura 29 copë, predhë minahedhësi 82 milimetërsh 54 copë, predhë minahedhës 62 milimetërsh 88 copë, granatë dore 75 copë, mina antitanke 8 copë, eksploziv dinamit 150 copë, detonarë elektrikë 23 copë”, tha drejtori i policisë së Kosovës Gazmend Hoxha.

Kosova akuzoi Serbinë për organizim dhe mbështetje të grupit. Beogradi mohoi të jetë përfshirë në sulm duke thënë se grupi përbëhej nga qytetarë serbë të Kosovës të revoltuar me qasjen e Prishtinës.

Por, ambasadori amerikan në Kosova, Jeff Hovenier tha se grupi ishte i organizuar.

“Ne ende po punojmë për të kuptuar se si dhe kush është përgjegjës dhe pse. Por dua të them, ju i keni parë pamjet e pajisjeve ushtarake dhe planet që ishin zhvilluar. Ky nuk ishte një grup i qytetarëve që spontanisht u bënë së bashku për të shprehur shqetësimet e tyre. Ky ishte një grup i trajnuar dhe i organizuar. Kjo nënkupton se pas tyre ka një lloj strukture, duke pasur parasysh trajnimin dhe pajisjet. Ne duam që kjo ngjarje të ndriçohet dhe ata të mbahen përgjegjës”, tha ambasadori Hovenier.

Me 29 Shtator, Milan Radoiçiç, ish nënkryetar Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës që mbështetet nga Beogradi, mori përgjegjësinë për përgatitjen dhe udhëheqjen e grupit të armatosur.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësimin për atë që e cilësuan si “një grumbullim të shtuar ushtarak serb në kufi me Kosovën”, ndërsa i kërkuan Beogradit që urgjentisht të tërheqë trupat ushtarake. Edhe Kosova akuzoi Serbinë për grumbullim përgjatë kufirit të saj.

Serbia mohoi të ketë shtuar forcat e saj në kufi, por më pas pranoi që pati shkurtime të pranisë ushtarake afër Kosovës. Sulmi u dënua gjerësisht nga institucionet vendase e ndërkombëtare që kërkuan vënien para drejtësisë të autorëve.

NATO-ja miratoi forca shtesë në terren të cilat arritën në rreth 1 mijë, përforcimi me i madh i KFOR-it qe pas shpalljes se pavarësisë së Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se aleanca do të shqyrtojë shtimin e pranisë afatgjatë në rajon.

Sulmi i 24 Shtatorit pasoi një periudhë tensionesh në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe. Mbi 90 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse u plagosën më 29 maj në një përleshje me grupe protestuesish serbë që kundërshtuan zbatimin e rezultateve të zgjedhjeve lokale në zonë të bojkotuara nga partitë politike serbe.

Dhuna shpërtheu pasi autoritetet e Kosovës shoqëruan me forca policore kryetarët e komunave në zyrat e tyre, me gjithë thirrjet perëndimore për të shmangur një veprim të tillë.

Ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier tha se qeveria e Kosovës nuk është bashkërenduar me Shtetet e Bashkuara për zhvillimet në veri dhe ka krijuar një krizë të panevojshme, duke dëmtuar edhe marrëdhëniet me Uashingtonin. Shtetet e Bashkuara anuluan pjesëmarrjen e Kosovës në stërvitjet “Defender Europe 2023”.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se “kryeministri Kurti dhe qeveria e tij duhet të marrin masa që kryetarët e zgjedhur të komunave, t’i kryejnë detyrat e tyre të kësaj faze kalimtare në mjedise alternative, jo në ndërtesat e komunave dhe të tërheqin forcat policore përreth tyre”.

Por, kryeministri Kurti tha se nuk do t’i largojë kryetarët e komunave dhe nuk do t’ia dorëzojë Republikën siç tha, një bande fashiste.

“Kjo që po bëj është detyra ime. Ka struktura paralele në pjesën veriore të vendit tonë. Nëse tani do të urdhëroja kryetarët e komunave që t’i lënë ato zyra dhe të shkojnë në një zyrë diku tjetër, do të ishte sikur po angazhohem për të krijuar një lloj të një strukture paralele me strukturat paralele, duke kopjuar metodën e udhëheqësve të serbëve të Kosovës. Unë do t’i bashkohesha ilegalitetit të tyre. Unë nuk mund ta bëj këtë”, tha kryeministri Kurti.

Beogradi ngriti shkallën e gatishmërisë ushtarake dhe urdhëroi trupat të vendosen pranë kufirit me Kosovën duke nxitur shqetësime të reja për sigurinë në rajon.

Tensionet u shtuan pasi tre pjesëtarë të policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe të cila pretenduan se ata kishin hyrë brenda territorit të Serbisë Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të saj.

Të tre policët u liruan pas disa ditësh pas trysnisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian mbi Beogradin.

Bashkimi Evropian kërkoi uljen e tensioneve përmes një plani që parashihte pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës.

Në mes të muajit qershor Bashkimi Evropian shpalli masa kufizuese Kosovës, për shkak të siç u tha, dështimit të qeverisë që të marrë hapa për uljen e tensioneve në veri.

Në muajin korrik qeveria e Kosovës tha se është pajtuar të zvogëlojë praninë e forcave policore në veri dhe të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Pajtimi u arrit në Bratisllavë në një takim të zëvendës kryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak.

“Të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian. Si përfundim besoj që dakordimi i Bratisllavës do të ndihmojë shumë në përforcimin e përqendrimit dhe vendosjen e barazisë midis palëve, që ndihmon zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike”, tha kryeministri Kurti.

Marrëdhëniet e Kosovës me aleatët

Masat ndëshkuese perëndimore nxitën shqetësime në Kosovë posaçërisht lidhur me marrëdhëniet me Washingtonin pas përjashtimit të Kosovës nga stërvitjet Defender Europe 2023.

“Kjo nuk është e mirë për ne, natyrisht, ne e pranojmë që është një gjë e keqe për Republikën e Kosovës. Gjithçka që duhet të bëjmë është ta bëjmë një dialog të hapur e të shtruar me të gjithë miqtë e partnerët tanë, që t’i argumentojmë ndoshta më mirë pozicionet tona. Ndoshta pozicionet tona nuk po kuptohen drejt prej Shteteve të Bashkuara”, tha kryetari i parlamentit të Kosovës Glauk Konjufca.

Opozita u shpreh shqetësuar me sanksionet amerikane dhe fajësoi kryeministrin Albin Kurti për mungesë bashkërendimi me aleatin kryesor të Kosovës.

“(Albin) Kurti ka vendosur kinse të mbrojë Kosovën nga Amerika, ne jemi vendosur ta mbrojmë Kosovën nga vet dëmi që (Albin) Kurti po u shkakton interesave nacionale të Kosovës. (Albin) Kurti ka vendosur të luftojë kundër aleatëve tanë për qëllime politike, për pak vota a ma shumë, ne jemi vendosur të luftojmë bashkë me aleatët për Republikën e Kosovës, e kjo luftë kërkon maturi diplomatike, bashkërendim me miqtë ndërkombëtar dhe insistim në mbrojtjen e interesave të Kosovës. Por, një prej interesave jetike për Kosovën ka qenë dhe mbetet miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Nuk mund të mbrohet Kosova kur cenohet ky interes”, tha kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

“Kjo është e dëmshme, e papranueshme dhe karshi kësaj situate ne nuk mund të rrimë kështu duarkryq dhe duhet të marrim përgjegjësitë në duar tona në mënyrë që të arrijmë ta sanojmë dëmin të cilin e ka shkaktuar kjo qeveri dhe kryeministri (Albin) Kurti”, tha shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj kërkoi fillimin e procedurave të një mocioni të mosbesimit ndaj qeverisë së kryeministrit Albin Kurti.

“Mocioni i mosbesimit bazohet në dy zhvillimet më të fundit. I pari është rrezikimi i sovranitetit dhe i sigurisë në veri dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian deri te sanksionet nga SHBA-të ndaj Kosovës”, tha zoti Haradinaj.

Nën trysninë perëndimore qeveria e Kosovës tërhoqi një pjesë të policëve nga ndërtesat komunale dhe hartoi një dokument që do t’u mundësonte qytetarëve të komunave veriore shkarkimin e kryetarëve të tyre përmes një peticioni.

Por deri në fund të vitit as zgjedhjet nuk u mbajtën e as masat nuk u hoqën.

Diplomacia në veprim

Sulmi i 24 shtatorit cilësohet si ngjarja më e rendë që nga koha kur Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008. E shqetësuar për situatën e sigurisë, diplomacia perëndimore u vu në përpjekje për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi në bazë të një marrëveshjeje që u arrit në muajin shkurt në Bruksel dhe për rrugët e zbatimit të së cilës palët u pajtuan në Ohër në muajin mars.

Me 27 shkurt shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i cili ndërmjetësoi një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha se të dy udhëheqësit treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje në bazë të një plani i cili qe bërë i njohur si nisma franko gjermane.

“Jam i lumtur të njoftoj se presidenti Vuçiç dhe kryeministri Kurti janë pajtuar sot se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejshme për propozimin e Bashkimit Evropian. Një propozim që mban titullin “marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha zoti Borrell.

Me 18 mars në Ohër zoti Borrell ndërmjetësoi një takim 12 orësh rreth zbatimit të marrëveshjes e cila tha ai do të jetë pjesë e procesit të integrimeve të të dyja palëve në Bashkimin Evropian.

“Dua të theksoj se për të hapur rrugën drejt arritjes së synimit strategjik të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Serbia dhe Kosova duhet të normalizojnë marrëdhëniet ndërmjet tyre. Nuk ka rrugëdalje tjetër. Dhe kjo marrëveshje, ky aneks që është pjesë integrale e marrëveshjes, është një hap i rëndësishëm përpara për ta bërë atë realitet”, tha zoti Borrell.

Marrëveshja kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Marrëveshja u mirëprit nga diplomacia perëndimore dhe pati një shkallë optimizmi se zbatimi i saj do të fillojë menjëherë. Por, kjo nuk ndodhi dhe palët kaluan periudha tensionesh të larta.

Më 21 tetor të dërguarit amerikanë dhe evropianë u dorëzuan palëve një dokument për zbatimin e marrëveshjes, pjesë e së cilës ishte edhe, një propozim statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.

Me 26 tetor udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë u takuan me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, presidentin francez, Emannuel Macron, kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe kryeministren italiane Giorgia Meloni, në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të çuar përpara zbatimin e marrëveshjes së Ohrit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, tha se ishte i gatshëm të nënshkruante projektin e ofruar nga diplomacia perëndimore për themelimin e Asociacionit duke akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiç se e refuzoi atë.

Presidenti serb tha se nuk është shtruar çështja e nënshkrimit apo mosnënshtrimit gjatë bisedimeve, ndërsa e cilësoi propozimin e 21 Tetorit si një bazë të mirë për vazhdimin e diskutimeve në të ardhmen.

Me 27 Tetor presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Giorgia Meloni në një deklaratë të përbashkët i kërkuan Kosovës të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe, ndërsa Serbisë që të njohë de-facto shtetësinë e Kosovës.

Përmbajtja e projekt statutit të Asociacionit nxiti shume debate posaçërisht për faktin se për një kohë u mbajt nën një vello fshehtësie.

Serbia tha se nuk do të zbatojë pjesët e marrëveshjes së Ohrit që çojnë në njohjen de facto apo de jure të Kosovës.

Proceset gjyqësore në Hagë

Me 3 prill në Gjykatën e Posaçme të Kosovës me seli në Hagë, filloi procesi gjyqësor kundër ish presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe tre ish zyrtarëve të tjerë të Kosovës, nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Zoti Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi, udhëheqës të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, akuzohen për veprat përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje dhe zhdukje me forcë të personave.

Prokuroria e Posaçme thotë se krimet e pretenduara janë kryer në periudhën nga muaji mars i vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999 dhe kanë ndodhur në disa zonë anembanë Kosovës, si dhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut.

Sipas prokurorisë krimet dyshohet se janë kryer nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër qindra civilëve që nuk ishin të përfshirë në luftime. Prokuroria pretendon se viktimat, rreth 100 syresh shumica janë shqiptarë, por ka edhe serbë dhe romë të Kosovës.

Të gjithë të akuzuarit i mohuan pretendimet e prokurorisë.

Gjykata e Posaçme u themelua në vitin 2015 nga parlamenti i Kosovës dhe vepron në bazë të ligjeve të saj, por me personel ndërkombëtar. Ideja për themelimin e saj pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës Dick Marty, raporti i të cilit i paraqitur ne Këshillin e Evropës në vitin 2011, përmban akuza ndaj ish pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rrëmbime, keqtrajtime, vrasje pa gjyq dhe në disa raste marrje me forcë organesh njerëzore dhe trafikim të tyre nga Shqipëria gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Por kjo çështje nuk u përfshi në asnjë nga akuzat e deritashme.

“Bashkësia Ndërkombëtare tha se një gjykatë e veçantë ishte thelbësore për të hequr renë e zezë për akuzat për trafikim organesh. Bota tani e di, sot si rezultat i këtij procesi, se nuk kishte trafikim organesh dhe shtëpia e verdhë nuk ka ekzistuar kurrë. Tani e dimë që ne jemi shfajësuar nga këto akuza. E vërteta është thënë dhe reja e zezë është hequr. Kjo sakrificë ia ka vlejtur”, tha zoti Thaçi në fillim të procesit gjyqësor.

Deri më tani Gjykata e Posaçme dënoi me 22 vjet heqje lirie ish pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sali Mustafa. Aktualisht është në proces e sipër gjyqi kundër ish pjesëtarit të kësaj ushtrie Pjetër Shala.

Që të gjithë i kanë mohuar akuzat, të cilat kanë nxitur reagime në Kosovë, ku pohohet se në këtë mënyrë po bëhet barazimi me mizoritë e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998 – 1999.

Dhuna ndaj grave

Ndërsa Kosova po shënonte fushatën 16 ditëshe kundër dhunës ndaj gruas me moton “Të bashkuar kundër dhunës…”, vendi u trondit nga njoftimi për vrasjen e një gruaje 30 vjeçare.

Tre veta u arrestuan në lidhje me vrasjen, në mesin e tyre bashkëshorti i saj i dyshuar për organizimin e vrasjes e cila nxiti reagime në shkallë të gjerë dhe protesta më kërkesat për ë shumë siguri për gratë dhe dënim maksimal për autorët e dhunës ndaj tyre.

“Sot jemi mbledhur këtu për t’i thënë stop femicidit, për t’i thënë stop vrasjes së grave dhe shtypjes së tyre. Sot kërkojmë drejtësi për Liridonën dhe për të gjitha vajzat e gratë e vrara, kërkojmë dënim maksimal për kriminelët përkitazi me ligjin”, tha Nertila Qarri Gërguri nga organizata “Artpolis”..

“Dhe një vit po e përmbyllim të rënduar nga hija e trishtimit sepse humbëm padrejtësisht e në mënyrë të dhunshme jetë të shenjta të bashkëqytetareve tona të dashura. Liridona Ademaj është emri që kumbon fort sikurse edhe emri i shumë grave e vajzave të tjera si përkujtim i çdoditshëm i dhimbjes përvëluese që ngelet pas kur padrejtësia zë vend fuqishëm”, tha presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në fjalimin e saj vjetor në parlament.

Sipas të dhënave nga policia e Kosovës katër gra u vranë në vitin 2023, ndërsa nga janari e deri në tetor, janë raportuar dy mijë e 100 raste të dhunës në familje. Rastet më të shpeshta ishin dhunë ndaj gruas.

Statistikat thonë se që nga përfundimi i luftës 66 gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre./VOA



Ju sugjerojmë

“Gati për votimin elektronik”, Gjiknuri: Komisioni do të kërkojë shtyrje të afatit
Politikë

“Gati për votimin elektronik”, Gjiknuri: Komisioni do të kërkojë shtyrje të afatit

13 Korrik, 2026 11:22 am
4.2 mln euro për koncertin e Kanye West, PD kallëzon në SPAK Ramën dhe Gonxhen
Kryesore

4.2 mln euro për koncertin e Kanye West, PD kallëzon në SPAK Ramën dhe Gonxhen

13 Korrik, 2026 11:18 am
Irani: Marina iraniane detyroi anijet amerikane të largoheshin nga Gjiri i Omanit
Bota

Sulmet amerikane, Irani: Ngushtica e Hormuzit është territori ynë

13 Korrik, 2026 10:53 am
Kuvendi rrëzon kërkesën e Kaprit për interpelancë me Lamallarin, deputeti: Censurë
Kryesore

Kuvendi rrëzon kërkesën e Kaprit për interpelancë me Lamallarin, deputeti: Censurë

13 Korrik, 2026 10:38 am
Rritet çmimi i naftës në bursa, një fuçi 103 dollarë
Bota

Sulmet SHBA-Iran, rritet çmimi i naftës

13 Korrik, 2026 10:16 am
Vala rekord e të nxehtit shkaktoi mbi 10 mijë vdekje shtesë në Europë
Bota

Vala rekord e të nxehtit shkaktoi mbi 10 mijë vdekje shtesë në Europë

13 Korrik, 2026 9:55 am
Rama në Forumin Ekonomik të Delfit: Nuk kemi qenë kurrë me afër BE-së
Kryesore

Samiti i Koalicionit të Vullnetarëve për Ukrainën, Rama niset drejt Parisit

13 Korrik, 2026 9:44 am
SHBA godet dhjetëra objektiva ushtarake iraniane në natën e dytë të sulmeve
Bota

SHBA godet dhjetëra objektiva ushtarake iraniane në natën e dytë të sulmeve

13 Korrik, 2026 9:11 am
Kryeministrja ukrainase Yuliia Svyrydenko konfirmon dorëheqjen e saj
Bota

Kryeministrja ukrainase Yuliia Svyrydenko konfirmon dorëheqjen e saj

12 Korrik, 2026 10:39 pm
Sherr te “Syri i Kaltër” për një çelës biçiklete, një i arrestuar
Kronikë

Sherr te “Syri i Kaltër” për një çelës biçiklete, një i arrestuar

12 Korrik, 2026 9:31 pm
Para
Turqia “parajsë” për bandat mafioze

Turqia “parajsë” për bandat mafioze

Ministri Hasani takim me përfaqësues të medias: Mbështetja dhe kritikat tuaja të vlefshme për të çuar përpara prioritetet tona

Ministri Hasani takim me përfaqësues të medias: Mbështetja dhe kritikat tuaja të vlefshme për të çuar përpara prioritetet tona

Të shtënat me armë, Universiteti në Pragë do të qëndrojë i mbyllur deri në Shkurt

Të shtënat me armë, Universiteti në Pragë do të qëndrojë i mbyllur deri në Shkurt
















TE FUNDIT

“Gati për votimin elektronik”, Gjiknuri: Komisioni do të kërkojë shtyrje të afatit

“Gati për votimin elektronik”, Gjiknuri: Komisioni do të kërkojë shtyrje të afatit
13 Korrik, 2026

Gjatë diskutimit për raportin e KQZ për vitin 2025, Damian Gjiknuri tha se votimi elektronik është instrument për të cilin qeveria është...

Lexo më shumë

4.2 mln euro për koncertin e Kanye West, PD kallëzon në SPAK Ramën dhe Gonxhen

4.2 mln euro për koncertin e Kanye West, PD kallëzon në SPAK Ramën dhe Gonxhen
13 Korrik, 2026

Ashtu sikurse ka paralajmëruar pak ditë më parë, grupi parlamentar i PD-së kallëzoi sot në SPAK kryeministrin Edi Rama dhe...

Lexo më shumë

Sulmet amerikane, Irani: Ngushtica e Hormuzit është territori ynë

Irani: Marina iraniane detyroi anijet amerikane të largoheshin nga Gjiri i Omanit
13 Korrik, 2026

Irani ka forcuar qëndrimin e tij mbi Ngushticën e Hormuzit pas sulmeve të fundit gjatë natës. “Ngushtica e Hormuzit është...

Lexo më shumë

Kuvendi rrëzon kërkesën e Kaprit për interpelancë me Lamallarin, deputeti: Censurë

Kuvendi rrëzon kërkesën e Kaprit për interpelancë me Lamallarin, deputeti: Censurë
13 Korrik, 2026

I rrëzohet kërkesa deputetit Erald Kapri për inteperlancë me ministrin e Brendshëm Besfort Lamallari për çështjen e Rrjollit dhe të...

Lexo më shumë
Opinion.al

Kategoritë

Kryesore

Aktualitet

Unë Shkruaj

Komente

Bota 

Sport 

Instabiz

Opinion Web Tv

Lifestyle

Galeri

Rreth Nesh

ON AIR: E hene – E marte – E merkure – 22:15 E ejnte – 21:00

OPINION nga Blendi Fevziu. Emisioni politik me i ndjekur dhe me i preferuar ne ekranet shqiptare.
“Opinion” vjen ne kater takime cdo jave – e hene, e marte, e merkure dhe takimi tradicional i te ejntes mbrema.
Cdo jave ne studion e Tv Klan, komente, analiza, debate, komente, intervista, personazhe, deshmi dhe fakte konkrete. Ngjarjet me te fundit dhe me te rendesishme ne jeten politike dhe sociale te vendit, me debatet, opinionet dhe analizat e te ftuarve ne studio.
Salloni i politikes dhe aktualitetit hap dyert 4 mbremje ne jave, per te degjuar opinionet e politikaneve dhe analisteve. Padron i shtepise, gazetari dhe analisti Blendi Fevziu.

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2026
Dev By Techzero1.com

Nuk ka rezultat
View All Result
  • Hyrja
  • Kryesore
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Sociale
  • Unë shkruaj
  • Komente
  • Bota
  • Sport
  • InstaBIZ
  • OPINION WEB TV
    • Emisionet
    • U tha në Opinion
    • Si u Veshën
  • Life Style
    • Shëndeti
    • Jetë dhe Stil
    • Teknologji
    • Kulturë

Të gjitha të drejtat e rezervuara Opinion ©2026
Dev By Techzero1.com

// Add this to functions.php or a custom plugin function custom_footer_popup_banner() {
×
}