Një lajm shokues për gjetjen e një shqiptari me kokën e prerë ka bërë xhiron e portaleve të ndryshme ditën e sotme.
Bëhet fjalë për një trup të pajetë në Igumenicë të Greqisë, i cili pasi është gjetur nga fermerë të zonës është dërguar në qytetin e Selanikut për të kryer ekspertizën mjeko-ligjore.
Ajo që në fakt përbën skandalin në këtë çështje është fakti se ndryshe nga sa raportojnë mediat greke paraditen e sotme, portalet shqiptare kanë ‘identifikuar’ viktimën Bledar Terpollari (26 vjeç), madje duke publikuar dhe foto ‘ekskluzive’ të marra nga profili i tij në Facebook!
Në fakt Bledari është shëndoshë e mirë dhe jeton në qytetin e Tiranës!
I kontaktuar nga Blitz.al ai na dërgon një foto për të na treguar se është gjallë dhe shprehet i revoltuar për këtë keqinformim e për përfshirjen e tij nga portalet të cilat duke kopjuar lajmin nga njëri-tjetri, i kanë shkaktuar dëm psikologjik atij dhe familjarëve. Terpollari shprehet se do ta ndjekë këtë çështje në rrugë ligjore!