Në të parin reagim pas videoskandalit, dhënë ekskluzivisht për “Panorama”, ishkryebashkiaku i Dibrës, Shukri Xhelili e ka quajtur gjithë sa u pa me zë dhe me figurë, një kurth të ngritur nga kundërshtarët.
Pak orë para se qeveria të firmoste shkarkimin e tij nga detyra dhe para se policia ta shoqëronte në komisariatin e Dibrës, Shukri Xhelili ka thënë se e gjitha ka qenë kurth.
“Ka qenë një kurth i ngritur nga kundërshtarët e mi, unë rashë në grackë” ka thënë Xhelili, por pa dhënë të tjera detaje rreth asaj që ndodhi. Paraditen e sotme, qeveria vendosi shkarkimin e Xhelilit nga posti i kreut të bashkisë Diber.
“Shkarkimin nga detyra, për shkak të shkeljeve të rënda, të kryetarit të Bashkisë Dibër, z. Shukri Xhelili. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në fletoren zyrtare”thuhej ne njoftimin e qeverisë
Pak më pas, policia u shfaq në derën e Xhelilit dhe e shoqëroi në komisariat, lidhur me videon e shfaqur mbrëmë në emisionin “Te paekspozuarit” në “Ora News”, ku shfaqej Shukri Xhelili teksa i kërkonte favore seksuale vajzës 20vjeçare në këmbim të nënshkrimit të një kontrate pune në Bashkinë që ai drejtonte.