Vendimi i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për të dorëzuar mandatin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë, ka qenë padyshim “kryefjala” e kësaj jave. Një vendim i tillë solli debate të mëdha, deklarata politike, e qëndrime të ndryshme, rreth këtij vendimi, të cilin kryedemokrati Basha nuk ngurroi ta cilësonte si një “hile” ndaj europianëve për negociatat.
Dhe teksa Saimir Tahiri deklaronte para kamerave vendimin e tij për dorëzimin e mandatit, kryeministri Rama është shfaqur nervoz brenda sallës së seancave plenare.
Në një moment të fiksuar nga kamerat, kreu i qeverisë duket teksa palos nëpër duar një letër, që nuk dihet se çfarë përmban.
E si gjithmonë, pavarësisht tensioneve brenda Parlamentit, mes kolegëve deputetë nuk kanë munguar as momentet e çlodhjes, teksa grupe grupe kanë zgjedhur të tymosin nga një cigare në oborr dhe të shkëmbejnë biseda mes tyre.
Këto momente janë bërë pjesë e rubrikës humoristike në emisionin “Kjo javë” me Nisida Tufën në “News24”.
Pjesë e kësaj rubrike janë bërë edhe debatet në mbledhjen e Komisionit hetimor për çështjen Tahiri, si dhe përplasja e sotme mes veteranëve dhe disa qytetarëve të tjerë, të cilët kanë kundërshtuar faktin se veteranët mbanin foton e ish-diktatorit Hoxha tek “Varrezat e dëshmorëve” për 5 Maj.