Një 36-vjeçar, person me rrezikshmëri të lartë për komunitetin, është arrestuar nga policia pasi lëvizte i armatosur me pistoletë me fishek në fole, të gatshme për qitje.
Arrestimi i tij është rezultat i bashkëpunimit të ngushtë me qytetarët dhe inteligjencën policore.
Nga verifikimet ka rezultuar se 36-vjeçari, D.M, kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për një aksident rrugor, me pasojë vdekjen.
Gjithashtu, ky shtetas kishte precedent të theksuar penal për krime në fushën e narkotikëve. Në vijim, pistoleta dhe krehri i saj me fishekë luftarak, u sekuestraun në cilësinë e provës materiale.
Në kuadër të këtij operacioni, u proceduan në gjendje të lirë shtetasit N. K., 56 vjeç dhe K. K., 22 vjeç (babë e bir), lidhje shoqërore të 36-vjeçarit, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Këta 2 shtetas shoqëronin shtetasin D. M., kur u kap nga Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.