Përdorimi i celularëve gjatë drejtimit të mjetit është i ndaluar në kodin rrugor dhe dënohet si kundravajtje administrative me gjobë deri në 1000 lekë.
Por ky sanksion nuk e pengon këtë drejtues autobusi të linjës së Tiranës së Re që të përdorë celularin gjatë drejtimit të mjetit.
Kjo video ka mbërritur si denoncim në adresën zyrtare në internet të tvklan.al, nga pasagjerë të kësaj linje urbane, të cilët shprehen se shoferi i autobusit të linjës Tiranë e Re, gjatë gjithë udhëtimit ka qenë totalisht i shkujdesur për të parë rrugën, duke vënë në rrezik jetën e tyre si pasojë e përdorimit të celularit.
Sipas qytetarëve, shoferit i është kërkuar që të rrisë shpejtësinë e autobusit dhe të mos përdorë celularin. Por ai ka vijuar i qetë të navigojë në internet, megjithëse autobusi ishte në lëvizje dhe rruga e lirë.
Ngjarja është fiksuar mesditën e së enjtes në rrugën e unazës së re, rreth orës 13: 35 minuta.
Megjithë denoncimet e shumta, kjo problematikë vijon të mbetet një prej shqetësimeve të shërbimit të transportit urban në Tiranë dhe numri i ndëshkimeve nga policia rrugore është minimal.