Katër të rinj janë vënë në pranga nga policia, në kuadër të operacionit policor të koduar “Seman” për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Gjatë operacionit, në Bypass-in e Fierit, u kapën në kushtet e flagrancës, me automjetet tip “Audi” dhe “Citroen”, 4 të rinj të cilët posedonin lëndë narkotike cannabis sativa që e kishin bërë gati për shitje.
Policia bën me dije se u arrestuan në flagrancë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim, shtetasit: G. Z., 34 vjeç, banues në Tiranë; A. M. (B)., 29 vjeç, banues në Ballsh; J. K., 25 vjeç, banues në Topojë, Fier; A. D., 23 vjeç, banues në Topojë, Fier.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 kg lëndë narkotike cannabis sativa, 2 automjetet dhe 5 aparate celularë.
Autoritetet po vijojnë punën për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.