Policia e Kosovës arrestoi mëngjesin e sotëm sekretarin organizativ të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.
“Gjatë këtyre muajve, argumentet e faktuara dhe rezistenca e Opozitës së Bashkuar kanë mobilizuar masat në Kosovë në protesta gjithëpopullore. Protesta madhështore e 17 shkurtit ia ka bërë të qartë Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit se ditët e këtij regjimi antipopullor janë të numëruara. Prandaj, në panik e sipër ata po përdorin të gjithë aparatin e dhunës si mjeti i fundit për të mbajtur në këmbë regjimin e tyre te delegjitimuar”, bën të ditur lëvizja Vetëvendosja në rrjetin social Facebook.
Sipas saj , nuk ka dhunë që mund ta ndalë frontin e gjerë shoqëror të rezistencës që është ngritur kundër këtij regjimi.
Lëvizja Vetëvendosje kërkon lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt dhe të të gjithë aktivistëve të tjerë, që po mbahen të burgosur për shkak se kanë qenë në ballë të këtij fronti.
“Deri në lirimin e të gjithë aktivistëve dhe deri në ditën e largimit të këtij regjimi shtypës policor, në Kosovë nuk mund të ketë drejtësi dhe qetësi”, thekson VV.
Policia deri tani ka arrestuar 8 pjesëtarë të VV-së. Mes tyre edhe Glauk Konjufcën dhe Frashër Krasniqin.