Një grua është vetëvarur në zonën e Frutikulturës në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë rreth orës 15:00 në ambientet e banesës së saj.
Sipas policisë, pas aktit të rëndë të 55-vjeçares bashkëshorti i saj, shtetasi Shefqet Lika, nuk ka kallëzuar ngjarjen në polici.
56-vjeçari në mbrëmje ka njoftuar familjarët e viktimës, të cilëve u ka pohuar se gruaja e tij ka pësuar vdekje natyrale dhe ndaj kishte bërë gati të gjitha procedurat e varrimit.
Kanë qenë familjarët që kanë bërë kallëzim në polici dhe kanë vijuar hetimet e thelluara, për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Nga verifikimet e kryera, ka rezultuar se më datë 04.09.2022, në ambientet e banesës së saj, shtetasja Shahe Lika, është vetëvarur.
Në përfundim të veprimeve hetimore, policia ndaloi Shefqet Likën, i dyshuar për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.