Prindërit e foshnjës 4 ditëshe që vdiq në maternitetin e Pogradecit fajësojnë mjekët. Ata thonë se do të hakmerren nëse nuk bëhet drejtësi.
Duke folur për mediat, nëna që vazhdon të qendrojë e shtruar në maternitet tha se: “Një ditë pas lindjes fëmija nuk mundej të ushqehej. Vumë re se foshnja kishte infeksion në lëkure. Ilaçet i kemi blerë vetë sepse nuk kishte në spital”
Semke Hyka theksoi se foshnja e saj kishte qëndruar në atë gjendje 2-3 orë, ndërsa infermieret nuk i kishin bërë asgjë.
Ndërkohë, më i ashpër ka qenë reagimi i babait të foshnjës, Agron Hyka, i cili ka akuzuar mjekun dhe infermierët për neglizhencë. “Fëmijën na e vranë, të vihet drejtësi në të kundërtën do marr hak”, tha ai.
Mësohet se fëmija ka pasur komplikacione dhe për këtë e kishin nisur rreth drejt Tiranës por rrugës foshnja kishte ndërruar jetë.
Familjarët të tronditur për humbjen kanë dyshime të forta se faji është i mjekëve pasi ata u kishin deklaruar se fëmija kur lindi pas operacionit ishte në gjendje të mirë shëndetësore.
“Fëmija ishte në gjendje të mirë por pas puçrrave në trup u përkeqësua. Doktori nuk e mori parasysh gjendjen. Kemi paguar 200 mijë lekë doktorin dhe infermiereve. Na e vranë fëmijën. Nëse drejtësia nuk vihet në vend do marr hak ndaj doktorit dhe nuk e lë të gjallë”, tha babai.
Policia ka nisur hetimet dhe po procedon në gjendje të mirë mjekun pediatër.