Bota

Vazhdojnë bisedimet e paqes Ukrainë-Rusi


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 17:09 - 01/04/22 |
Opi Nion

Negociatorët ukrainas dhe rusë po rifillojnë sot bisedimet në një takim virtual, pesë javë nga konflikti që ka shkaktuar vdekjen e mijëra personave dhe ka dëbuar më shumë se 4 milionë refugjatë nga Ukraina. Ndërkohë, kriza në qytetin jugor ukrainas Mariupol vazhdon të thellohet. Rusia ka bllokuar ndihmat dhe korridorin për evakuimin e banorëve në qytetin e rrethuar.

Ukraina dhe Rusia vazhduan në një takim virtual bisedimet e paqes, njoftoi sot zyra presidenciale e Ukrainës, por pa dhënë shumë hollësi nëse është arritur ndonjë përparim drejt fundit të luftimeve.

“Ende nuk kemi marrë një përgjigje të plotë për propozimet e hedhura në bisedimet e Stambollit. Kemi parë disa komente nga zyrtarët rusë. Megjithatë, presim një përgjigje zyrtare nga Rusia. Pastaj do të kuptojmë nëse Rusia do të vazhdojë të flasë me gjuhën e ultimatumeve direkte apo në një mënyrë të kamufluar, ose nëse më në fund ka lëvizuar drejt diskutimeve konstruktieve për të arritur pajtimin”, tha ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba.

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov tha të premten se Moska po përgatit përgjigjen e saj për propozimet e Ukrainës.

Negociatorët ukrainas shprehën të martën në Turqi gatishmërinë e Kievit që të ketë një status neutral dhe që të angazhohet për mosanëtarësim në NATO ose aleanca të tjera ushtarake, në këmbim të garancive të sigurisë nga vendet perëndimore.

Ndërkohë, qyteti i rrethuar në jug të Ukrainës, Mairupol, pret të mësojë nëse Rusia do të lejojë një korridor humanitar që do të mundësonte futjen e ndihmave në qytet dhe evakuimin e banorëve.

“Kemi shpresë, jemi në lëvizje në drejtim të Mariupolit, por ende nuk është e qartë nëse kjo do të ndodhë sot”, tha Ewan Watson, zëdhënës i Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Zyrtarët ukrainas akuzojnë forcat ruse për konfiskimin e 14 ton ndihmave humanitare që të enjten ishin nisur me 12 autobusë në drejtim të Ukrainës lindore. Pakot e ndihmave përfshinin pajisje mjekësore dhe ushqime.

Një tjetër kolonë prej 45 autobusësh, e dërguar për të evakuuar civilët nga Mariupoli u ndalua nga forcat ruse para se të arrinte destinacionin.

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës tha të premten se një pjesë e trupave ruse janë parë duke u tërhequr nga rajoni i Kievit në drejtim të Bjellorusisë.

Oleksandr Shputun tha se ushtarët rusë janë parë duke u larguar me makina civile, kamionë dhe autobusë, të kapur në territoret që kontrollohen nga Rusia.

“Në zonat e pushtuara përkohësisht, armiku vazhdon veprimet e jashtëligjshme, duke kufizuar lëvizjen e civilëve, duke përdorur shtëpitë dhe banesat e vendasve për të strehuar personelin dhe duke mbajtur si pengje banorët dhe aktivistët lokalë. Dhuna kundër qytetarëve ukrainas po vazhdon”, tha zëdhënësi i ushtrisë ukrainase.

Preidenti ukrainas Volodymyr Zeleksiy paralajmëroi se tërheqja e trupave ruse nga veriu dhe qendra e vendit, është një taktikë ushtarake për sulme të reja në juglinde të Ukrainës.

Kievi tha se Rusia shkeli premtimin për uljen e operacioneve ushtarake përreth kryeqytetit ukrainas. Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë i panë me skepticizëm pohimet e Moskës.

Zyrtarë amerikanë të mbrojtjes besojnë se ripozicionimi i forcave ruse ka për qëllim rigrupimin dhe rifurnizimin në Bjellorusi para se ato të kthehen në Ukrainë, me shumë gjasë për të ndihmuar luftën e forcave ruse në pjesën lindore të vendit./ VOA

Pas