Jeni mërzitur nga të njëjtat bluza të bardha dhe tashmë dëshironi ta ktheni në ngjyrë jargavani? Ose ndryshe, mos jeni penduar gjë se keni blerë një këmishë të bardhë dhe e dëshironi atë të ngjyrosur? Apo mos ndoshta në sirtar keni një fustan të vjetër dhe dëshironi t’i jepni jetë të re? Nëse është kështu, ka ardhur momenti të merrni situatën nën kontroll dhe të ngjyrosni një gardërobë të re. Këtë gjë mund ta bëni në mënyrë 100% natyrale, duke përdorur lule, erëza dhe perime. Së pari është e nevojshme të kontrolloni nëse rrobat tuaja janë natyrale (pambuk, lino, lana dhe seta) dhe të siguroheni që të jenë të pastra.
Në dispozicion duhet të keni një tenxhere çeliku, kripë kuzhine (e cila përdoret për të rregulluar ngjyrat) dhe “bojërat” që do t’i krijoni natyralisht sipas dëshirës tuaj. Por si, do të pyesnit ju?
Për ngjyrën blu në violetë mund të përdorni bashkë lëngun e manaferrave dhe të boronicës; për ngjyrën rozë, petale trëndafili; për të gjelbrën keni më shumë variante: shafran Indie, kamomil dhe portokaj të përzierë me lëng shege; për të kuqen, petale trëndafili të kuq dhe feta panxhari. Me llumin e kafesë dhe bustinat e çajit, rrobave tuaja mund t’i jepni ngjyrën kafe. Ndërsa nga lëvozhgat e qepës do të përfitoni ngjyrën mes kafesë dhe portokallisë, shkruan politiko.net.
Bëni bashkë ujin dhe kripën në tenxheren e çelikut (një lugë gjelle kripë për çdo një litër ujë) dhe përzierjen lëreni të ziejë bashkë me përbërësit e zgjedhur sipas dëshirës (si më lart). Lëreni ashtu për të paktën një orë. Ju mund të kontrolloni ndërkohë ujin nëse do të marrë ngjyrë, për të kuptuar se kur do të jetë momenti që do të zhysni në të veshjen tuaj.
Mos harroni se ngjyra e krijuar në ujë me produktet e sipërpërmendura, që ju do t’i zgjidhni sipas dëshirës, do të jetë gjithmonë më e errët se sa ajo që do të rezultojë në veshje. Sigurisht përpara se ju të fusni në enë rrobat në ujin e ngjyrosur, ju duhet ta kulloni këtë të fundit për të hequr mbetjet që mund të kenë lënë frutat, erëzat apo lulet dhe vendoseni sërish në zjarr.
Sigurohuni që rrobat të futen tërësisht në ujë. Rrotullojini kur e shihni të arsyeshme. Lërini ashtu të ziejnë për dy ose tre orë. Në fund mund t’i shpëlani me dorë dhe më pas i ndeni. Kështu do të mund të shijoni rroba thuajse të reja.
Si mirëmbahen rrobat e ngjyrosura?
Rrobat, pasi janë ngjyrosur, këshillohet të lahen në lavatriçe pasi t’i keni larë një herë me dorë. Ato nuk duhet të pastrohen në temperaturë më të lartë se 40 gradë Celsius. Drejtuesit e dyqaneve që bëjnë ngjyrosjen e rrobave rekomandojnë që pastrimi i rrobave të tilla të bëhet me detergjentë për rroba me ngjyra. Në rast se këto rroba lahen me detergjentë për rroba të bardha, atëherë shpëlarja e tyre do të jetë shumë e shpejtë.
Sa më i shpeshtë të jetë pastrimi i këtyre rrobave, mundësia për largimin e ngjyrës thotë të jetë më e madhe. Ngjyra zakonisht mund të qëndrojë deri në një vit. Ka raste edhe më tepër, varet se si mirëmbahen rrobat. Nëse rrobat e ngjyrosura pastrohen së bashku me rrobat e tjera në temperaturë të lartë, atëherë mundësia që të ngjyrosen rrobat e tjera është shumë e madhe. Këto rroba nuk duhet të lahen me rroba të tjera në një temperaturë 60 apo 90 gradë.