Policia ka arrestuar në flagrancë një 48-vjeçar në Elbasan, pasi mbante në banesë, armë zjarri kallashnikov.
Mësohet se 48-vjeçari, ishte i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për dhunë në familje.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në vijim të punës me fokus evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të posedimit të kundërligjshëm të armëve të zjarrit, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, kanë siguruar informacion se një shtetas mbante armë zjarri.
Ky informacion është ndjekur proaktivisht, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit dhe si rezultat është finalizuar operacioni policor “Recidivist”.
Në kuadër të këtij operacioni, në banesën e shtetasit K. R., në lagjen “Skënderbej”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi K. R., 48 vjeç, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit””, njofton policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./Opinion.al