Shqiptari Arben Murto dhe polici që u kapën duke transportuar 100 kg kanabis me makinën e policisë në Igumenicë, janë lënë në burg.
Ata kanë dalë ditën e djeshme, 20 mars, para Gjykatës, ku janë njohur me masën arrest me burg.
Droga u kap në automjetin e sektorit të anti-drogës së Igumenicës, të drejtuar nga oficeri 41-vjecar Kostantinos Nakos dhe me pasagjer biznesmenin 41 vjecar nga fshati Shalës i Konipolit, Arben Murto.
Në seancën e djeshme, e cila ka zgjatur deri pasdite vonë, Murto është shprehur se besonte se po merrte pjesë në një operacion zyrtar të policisë.
Ai ka deklaruar se me Konstantino Nakon ka pasur bashkëpunim nga e kaluara dhe sipas tij në të kaluarën janë identifikuar sasi të mëdha droge dhe trafikantët e saj.
Sipas Murtos, ai besonte se të premten e kaluar po merrte pjesë në një operacion të ligjshëm policor për lokalizimin dhe sekuestrimin e sasisë së drogës.
Nga ana tjetër, oficeri i policisë Konstantino Nakos, ka pretenduar se është përdorues kokaine dhe madje prej kohësh. Kjo varësi e çoi atë në transportin e një sasie të madhe marijuane./Opinion.al