Një 28-vjeçar u ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen e sotme në zonën e Astirit në Tiranë. Sipas të dhënave, viktimë e këtij atentati ka mbetur Vilson Tafçiu.
I riu është qëlluar me armë zjarri pranë një lokali, ku ndodhej së bashku me miqtë e tij. Sipas të dhënave, autorët e kanë thirrur 28-vjeçarin dhe më pas e kanë qëlluar për vdekje.
Deri më tani ende nuk ka informacione se kush mund të jenë autorët e krimit. Ndërkohë, dyshohet se Vilson Tafçiu, i cili më herët ka përdorur një tjetër mbiemër, të jetë i përfshirë në ngjarje kriminale.
Gjithashtu, i riu rezulton se është dëbuar më parë nga autoritetet franceze, gjë e cila rrit dyshimet për aktivitetin kriminal të Tafçiut. Duke iu referuar të dhënave, rezulton se 28-vjeçari është arrestuar para dy vitesh në Shkodër me 200 kg drogë.
Grupi në të cilin bënte pjesë Tafçiu u godit në qershor 2018. Ky grup ushtronte aktivitetin e tij kriminal në qytetet Shkodër, Lezhë, Kurbin dhe Malësi e Madhe.
Gjatë kontollit në makinat që ata udhëtonin u sekuestruan 200 kg lëndë narkotike, 2 pistoleta, 1 kuti me 20 fishekë, 1 automjet tip Benz Mercedes, 1 BMW, 7 Telefona celularë, një sasi lekësh dhe një radio marrëse e njëjtë si ato të policisë./ Opinion.al