Policia ka arrestuar në Allias një 28-vjeçar, pasi u kap me dy pistoleta, të cilat dyshohet se do t’ua shiste shtetasve që kryejnë krime kundër jetës dhe pronës.
Mësohet se i arrestuari është shtetas me precedent penal, si pjesëtar i një grupi kriminal në Shkodër.
“Në vijim të kontrolleve dhe punës intensive operative të Policisë së Tiranës, me fokus kapjen e shtetasve që lëvizin të armatosur dhe për pasojë, janë rrezik potencial për rendin dhe sigurinë e qytetarëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 finalizuan operacionin “Black market”.
Gjatë operacionit u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 28 vjeç, banues në Shkodër, me precedent për prodhim/shitje narkotikësh, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Nga kontrolli në automjetin me të cilin ai lëvizte në Allias, u gjetën 2 armë zjarri pistoleta, të cilat dyshohet se do t’ua shiste shtetasve që kryejnë krime kundër jetës dhe pronës”, njofton policia.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Opinion.al