Rreth 1 milionë kosovarë bëjnë çdo vit pushimet në Shqipëri. Shifra është dhënë nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi i cili po zhvillon një vizitë dyditore në Tiranë. Gjatë takimit me liderin e PD-së, Lulzim Basha ai ka vlerësuar rolin e kryedemokratit për ndërtimin e Rrugës së Kombit që përkon me kohën kur ai drejtonte Ministrinë e Transporteve.
“Zoti Thaçi në mënyrë të veçantë shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin për zotin Basha për kontributin e tij në realizimin e projektit madhor “Rrugës së Kombit” e cila ka bashkuar shqiptarët, e ka bërë Kosovën partnerin kryesorë për eksporte, si dhe u ka dhënë mundësi mbi 1 milionë shqiptarëve të Kosovës të pushojnë çdo verë në Shqipëri duke sjellë të ardhura në turizëm”, thuhet në deklaratën për mediat të PD-së.
Ndërsa Basha mësohet se i ka shprehur mbështetje të padiskutueshme Thaçit për zhvillimin e këtij shteti. Sipas tij, Kosova ka nevojë për mbështetje reale dhe jo në zëvendësim të rolit të institucioneve të Kosovës.
“Në këtë kuadër është e domosdoshme të kemi qëndrime parimore dhe jo inferioriet në raportet me Serbinë”, ka thënë Basha. Ai ka kritikuar Ministrinë e Jashtme shqiptare për aktivizim të pamjaftueshëm tek ndërkombëtarët në lidhje me pozitat e Kosovës.