Presidenti Meta ka reaguar për situatën e krijuar nga tërmeti në zonën e Korçës. Ai shprehu shqetësimin e tij lidhur me pasojat dhe dëmet materiale të shkaktuara nga tërmeti.
Presidenti u bëri thirrje të gjitha autoriteteve qendrore dhe lokale, që të ndjekin me vëmendje situatën dhe të analizojnë pasojat, ndërsa kërkoi gjithashtu marrjen e masave të menjëhershme në plotësimin e nevojave emergjente të banorëve të prekur.
Meta iu uroi shërim të shpejtë qytetarëve të lënduar.
Reagimi i plotë:
1 qershor 2019
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z Ilir Meta, shpreh shqetësimin e tij të thellë lidhur me pasojat e rënda të tërmetit në zonën e Korçës dhe dëmet e shumta materiale të shkaktuara.
Presidenti Meta u bën thirrje dhe nxit të gjitha autoritetet qendrore dhe lokale, që të ndjekin me shumë vëmendje dhe të analizojnë me përgjegjësi këto pasoja, si dhe të marrin masa të menjëhershme në plotësimin e nevojave emergjente të banorëve të prekur nga kjo fatkeqësi natyrore duke u garantuar shërbim shëndetësor, pajisje me ushqim e ujë të pijshëm dhe sistemimin në ambiente të përshtatshme strehimi.
Presidenti Meta u uron shërim të shpejtë qytetarëve të lënduar./Opinion.al