Një tërmet i fuqishëm ka goditur ishujt Solomon në jug të Paqësorit, duke shkaktuar edhe lëshimin e alarmit për cunami në një zonë të gjerë.
Tërmeti me magnitudë 7.7 e kishte epiqendrën rreth 70 km larg Kirakiras, në juglindje të Papua Guinesë së Re dhe verilindje të Australisë. Lëkundja sizmike u ndie rreth orës 18:40 (04:40 me orën lokale) dhe u pasua nga dy lëkundje të tjera më të lehta, me magnitudë 5.5 dhe 5.1.
Shumë zona banimi janë evakuuar nga njerëzit, të cilët janë ngjitur drejt vendeve më të larta, megjithatë ende nuk bëhet e ditur për dëmtime apo viktima në njerëz.
Përdorues të rrjeteve sociale njoftuan për ndërprerje të energjisë elektrike në kryeqytetin Honiara, ndërkohë që disa prej tyre raportojnë se nuk kanë dëgjuar sirenat për cunam.
Dallgë cunami me një lartësi nga 1-3 metra mbi nivelin e detit shihen si të mundshme gjatë zonave bregdetare të ishujve Solomon. Të tilla dallgë shkatërruese mund të godasin edhe pjesë të Vanuatu, Papua Guinea e Re, New Caledonia, Tuvalu apo Kosrae, brenda 3 orëve të ardhshme.
Ndërkohë, një paralajmërim për cunami në Hauai është anuluar. Ishujt Solomon ndodhen në “Unazën e Zjarrtë”, të njohur për aktivitete sizmike në Paqësor.
Më herët ditën e sotme, një tërmet 6.5 ballë goditi brigjet e Kalifornisë veriore. Shërbimi Gjeologjik amerikan tha se nuk pati viktima apo dëme të shumta materiale nga tërmeti.
Epiqendra e tij, u lokalizua 97 milje në perëndim të Kalifornisë me një thellësi 6.2 milje. Përdoruesit e rrjeteve sociale raportuan se në disa zona kishte shkëputje të energjisë elektrike por asnjë dëmtim serioz.