Është shoqëruar me tensione që në nisje seanca e sotme në Kuvendin e Shqipërisë.
Deputeti i Partisë Demokratike, Asllan Dogjani, ka kërkuar fjalën për procedurë duke kërkuar që Shqipëria të mbajë qëndrim për tensionet në veri të Kosovës.
Në momentin kur nisi fjalën nga vendi, kryeparlamentarja Lindita Nikolla e ndërpreu duke thënë se kjo nuk quhet procedurë.
Kjo e revoltoi deputetin i cili u drejtua me shpejtësi dhe bllokoi foltoren. Në këtë moment pranë tij u afrua edhe garda.
Debati në Kuvend
Lindita Nikolla: Shkoni në vend do jua jap fjalën në vend.
Asllan Dogjani: Ma jep fjalën, për procedurë.
Lindita Nikolla: Mirë keni një minutë kohë për të përfunduar.
Pasi mori fjalën Asllan Dogjani kërkoi që Kuvendi të mbajë një qëndrim në lidhje me sulmet e qeverisë së Serbisë ndaj Kosovës.
“Atëherë edhe njëherë unë kam kërkuar në seancën e kaluar që Kuvendi të mbajë një qëndrim. Situata ka agravuar. Janë marrë tre policë peng. Kryeministri i Shqipërisë sillet si kryetar i OKB dhe nuk vjen këtu të japë informacion. Të dalim me një qëndrim dhe të dënojmë sulmet e qeverisë së Serbisë ndaj Kosovës. Duhet të dalim patjetër me një qëndrim”-tha Dogjani.