“Mos më provoko se do të nxjerr jashtë”. Me këto fjalë mësohet t’i jetë drejtuar kreu i PS deputetes Elisa Spiropali në takimin e zgjeruar që ka patur me ministrat dhe deputetët socialistë.
Gjatë fjalës së drejtoreshës së Kadastrës, ka patur një ndërhyrje nga ana e Elisa Spiropalit duke i kërkuar që të ketë më shumë respekt për deputetët, ndërkohë që duket se pikërisht në këtë moment ka ndërhyrë Edi Rama duke i thënë që të pushojë dhe të mos flasë.
Nga ana tjetër, mediat bëjnë me dije se gjatë fjalës së ministres për Shtetin dhe Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili, e cila ka folur për strategjinë e komunikimit, deputetja Elisa Spiropali mësohet se është parë të qeshte.
Ky gjest i Spiropalit është parë nga ministrja Ismaili, e cila i është drejtuar me fjalët, “zonja Spiropali s’ke pse qesh”.
Ish-ministrja e Jashtme i është përgjigjur me fjalën “urdhëro?”. Spiropali mësohet se i ka thënë ministres Ismaili t’i kërkojë falje.
Në atë moment ka reaguar vetë kryeministri Rama, i cili i është drejtuar Spiropalit me tone të ashpra.
“Ti mos e hap gojën fare, fare. Ti një herë mos fol fare, të paktën në prezencën time!”, ka deklaruar ai, sipas burimeve për “Panorama”.
Kujtojmë se pas shkarkimit të saj si ministre, Elisa Spiropali mungoi në votimin e mandatit të koleges Belinda Balluku, çka duket se e ka përkeqësuar pozicionin e saj brenda partisë, po të sjellim në vëmendje edhe replikat me Taulant Ballën në rrjetet sociale, për një mbledhje të grupit ndaj saj.
Në takimin e sotëm, mungoi deputetja Belinda Balluku.

















