Policia e Tiranës është vënë mbrëmjen e djeshme në ndjekje të një makine me ngjyrë të zezë, në të cilën thuhet se udhëtonin persona të armatosur. “Një makinë fuoristradë që po lëvizte pranë “Qytetit Studenti”, është qëlluar me armë. Në këtë makinë udhëtonin dy persona ende të paidentifikuar nga policia, që ishin të armatosur.
Kanë qenë vetë banorët e zonës ku ka ndodhur ngjarja që kanë njoftuar uniformat blu. Sipas personave që kanë telefonuar në sallën operative të Policisë së Tiranës, ka pasur të shtëna me armë nga makina e zezë.
Efektivët e policisë kur kanë shkuar në vendngjarje kanë gjetur një gëzhojë. Nga hetimet u mësua se ishte qëlluar me armë sportive në ajër. Ende nuk dihen autorët.