Një pakistanez i akuzuar për plagosjen e dy personave para ish-zyrave të Charlie Hebdo, më 25 shtator, planifikonte t’i vinte flakën zyrave të saj.
Ky lajm është bërë i ditur nga një prokuror francez i cili po heton për ngjarjen. Sipas tij, autori nuk e dinte se revista e kishte ndryshuar vendndodhjen.
Prokurori, Jean-Francois Ricard, tha në një konferencë për media se i dyshuari-në atë që qeveria franceze e ka quajtur një akt të “terrorizmit islamik” – mbante tre shishe me material të ndezshëm me të cilin ai donte t’i vinte flakën lokalit të revistës.
Ricard tha se burri, i cili e kishte identifikuar veten si Hassan A., një 18-vjeçar i lindur në qytetin pakistanez të Mandi Bahauddin, operonte nën një identitet të rremë.
Dymbëdhjetë njerëz u vranë më 2015 nga sulmuesit që bastisën zyrën e Charlie Hebdo për hakmarrje lidhur me botimin e karikaturave të Profetit Muhamed.
Pas sulmit, e përjavshmja zhvendosi selinë e saj në një vend të panjohur.
Ajo ribotoi disa nga karikaturat këtë muaj për të shënuar fillimin e gjyqit ndaj 14 personave të dyshuar për lidhje me vrasësit.