Ambasadori i Izraelit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Danny Danon, është shprehur se autoritetet izraelite janë ende duke shqyrtuar detajet në lidhje me sulmin ajror të ndodhur të hënën në spitalin Nasser në Gaza, ku humbën jetën të paktën 20 persona, mes tyre edhe pesë gazetarë.
“Jemi ende duke analizuar të gjitha informacionet në lidhje me incidentin në fjalë. Jam i sigurt se në ditët në vijim do të kemi më shumë detaje për të ndarë me publikun dhe komunitetin ndërkombëtar,” u shpreh Danon gjatë një konference për shtyp në selinë e OKB-së në Nju Jork.
Ai shtoi se qëllimi i ofensivës ushtarake të Izraelit nuk është goditja e gazetarëve apo e civilëve të pafajshëm, por eliminimi i asaj që ai e quajti “kërcënimi terrorist”.
“Qëllimi ynë është të luftojmë terroristët. Nuk synojmë gazetarët, mjekët, apo këdo tjetër që nuk është i përfshirë në aktivitet terrorist”, deklaroi ambasadori izraelit.
Konferenca u zhvillua në të njëjtën kohë me prezencën e Ilana Gritzewsky, një nga pengjet izraelite të liruara së fundmi, e cila pritet t’i drejtohet anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së gjatë pasdites së sotme.