Problemet me shërbimin e internetit në institucionet e Kosovës, sipas zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, vijnë si pasojë e një sulmi kibernetik.
Ai tha në një postim në Facebook, më 6 shtator, se kjo është identifikuar nga ekipi i sektorit të sigurisë kibernetike në Agjencinë e Shoqërisë së Informacionit në bashkëpunim me ekspertët e jashtëm.
“Sulmi kibernetik nuk ka depërtuar brenda infrastrukturës se rrjetit kompjuterik shtetëror pasi që është bllokuar nga pajisjet përkatëse të sigurisë”.
“Është identifikuar që sulmi kibernetik ka ardhur nga jashtë Kosovës dhe si target ka pasur IP-në në të cilën kanë qenë të publikuar disa ueb faqe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Kryeziu tha se momentalisht gjendja është stabile, shërbimi i internetit si dhe shërbimet tjera online dhe ueb faqet janë funksionale dhe të qasshme.