Trajneri italian, Carlo Ancelotti është dënuar me një vit burg në Spanjë për evazion fiskal, që lidhet me të ardhurat e tij gjatë periudhës kur drejtonte skuadrën e Real Madridit në sezonin 2013–2014.
Vendimi i Gjykatës së Madridit erdhi pas hetimeve të nisura për një shumë prej gati 400 mijë eurosh të padeklaruara nga të ardhurat e të drejtave të imazhit të trajnerit, të cilat nuk u raportuan siç kërkon ligji spanjoll.
Megjithatë, dënimi nuk përfshin një dënim të detyrueshëm me burg, pasi trajneri italian nuk ka precedentë penalë.
Po ashtu, Ancelotti është gjobitur me 386 mijë euro dhe i është ndaluar për tre vjet përfitimi nga subvencionet publike, lehtësimet tatimore dhe të drejtat në sigurime shoqërore.
Ndërkohë, prokuroria e kishte akuzuar fillimisht strategun italian për një evazion më të madh, me një total prej 1.06 milionë eurosh, për vitet 2014 dhe 2015, por gjykata vendosi ta shpallë të pafajshëm për vitin e dytë.
Në një deklaratë të mëparshme për hetimin, Ancelotti kishte sqaruar se ishte fokusuar vetëm në aspektin financiar të kontratës me Real Madridin, pa hyrë në detaje teknike mbi tatimin e të drejtave të imazhit.
“E vetmja gjë që më interesonte ishte marrja e 6 milionë eurove neto për tre vjet. Nuk e dija se diçka nuk ishte në rregull, as nuk u informova për ndonjë hetim,” deklaroi ai.
Ai shtoi se praktika e shitjes së të drejtave të imazhit në atë kohë ishte e zakonshme, jo vetëm për lojtarët, por edhe për trajnerët.
Pavarësisht kësaj çështjeje ligjore, ai vazhdon detyrën e tij si trajner i kombëtares së Brazilit, një rol që ka marrë pas suksesit të tij të dytë me Real Madridin në Ligën e Kampionëve.