Një organizate kriminale nga qyteti i Elbasanit, por e cila vepronte në Verona të Italisë, i janë sekuestruar pasuri të cilat e kalonin vlerën e 4 milionë Eurove. Sipas burimeve të gazetares Glidona Daci, bëhet fjalë për pasuri të grupit të Suel Çelës.
Operacioni u krye në bashkëpunim mes Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Veronës. Kjo shënon herën e parë që SPAK ka bërë sekuestrim të pasurive të krimit të organizuar jashtë territorit të Shqipërisë. Por edhe për autoritetet italiane është hera e parë që një organizate kriminale shqiptare investon në pasuri të paluajtshme në territorin e një shteti të Bashkimit Europian, në këtë rast, Italisë.
SPAK njoftoi sot më 3 korrik se Gjykata e Veronës vendosi si masë preventive sekuestrimin e disa pasurive të luajtshme dhe të paluajtshme, burimeve financiare dhe aksioneve të pasurisë së një shoqërie tregtare.
Më saktësisht u sekuestruan:
- Një ndërtesë, pasuri e paluajtshme në Nogarole Roça (Verona)
- Një ndërtesë, në vlerë rreth 3 milionë euro, e përbërë nga 30 njësi (zyra dhe dyqane) (Verona)
- Një llogari bankare ku depozitoheshin qiratë e zyrave dhe dyqaneve (rreth 400 mijë euro në vit)
- Një shoqëri tregtare që operonte në fushën e ndërtimit, me kuota 100% në Itali.
Nga hetimet rezulton se këto pasuri janë krijuar dhe financuar me përfitimet nga trafiku ndërkombëtar i lëndëve narkotike nga Amerika e Jugut në tregjet europiane.
Vëmendja e autoriteteve ligjzbatuese shqiptare dhe italiane u përqendruan tek një shoqëri e pasurive të paluajtshme në Itali. Asaj i dërgoheshin shifra të mëdha parash përmes sistemit bankar.
Por ato para vinin nga Shqipëria, pasi organizata kriminale i transferonte të ardhurat nga një shoqëri tregtare në Shqipëri, në pronësi të Suel dhe Mario Çelës. Ato shuma investoheshin në Itali në ndërtim, rikonstruksionin e ndërtesave dhe më pas jepeshin me qira.
Autoritetet kanë konstatuar se përdorimi i burimeve të mëdha financiare që derdheshin nga Shqipëria në ekonominë italiane, “përfaqësonte edhe hallkën përfundimtare të pastrimit të parave”.
Në Shqipëri janë kryer transaksione të dyshimta të pasurive të paluajtshme, me qëllim pengimin e gjurmueshmërisë së origjinës së paligjshme të parave. Në këtë mënyrë organizata përfitonte shërbime të “pastruara”, me fitimin e përftuar nga transaksionet e dyshuara, të cilat mund të ripërdoreshin në investime në prona të paluajtshme, në territorin italian.
“Gjithashtu janë sekuestruar pasuritë e paluajtshme dhe burimet financiare që i përkasin administratorit të një shoqërie të pasurive të paluajtshme në Verona, në pronësi të një çifti shqiptarësh, të përfshirë në të kaluarën në trafikun e lëndëve narkotike”, njoftoi SPAK.
Ata konsideroheshin si njerëzit e besuar të dy vëllezërve Çela dhe rezultuan të figuronin në listën e pagesave të organizatës kriminale.
“Kontrolle janë kryer edhe ndaj subjekteve kryesore dhe ndihmësve të tyre italianë, me qëllim gjetjen e provave të mëtejshme”, njoftoi SPAK.
Hetimet për këtë rast ndodhen në fazë paraprake.
Kujtojmë se Suel Çela konsiderohet si kreu i një organizate kriminale në Elbasan. Ai ndodhet në kërkim pas hetimeve të SPAK. Nga ana tjetër Mario Çela ndodhet i arrestuar në Belgjikë.
Ai u arrestua në Verona, në qershor të vitit 2024, pas ekzekutimit të një urdhër-arresti, të lëshuar nga autoritetet belge, mbi dyshimet për përfshirje në një vrasje mafioze në Antëerp, si pasojë e konflikteve mes grupeve rivale të trafikut të drogës.
Ndërsa ndaj tij ka një vendim të lëshuar edhe nga Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, pas hetimeve të kryera nga SPAK, për veprat penale: “Vrasje me paramendim”, “Mbajtje dhe prodhim pa leje të armëve”, “Trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”./tvklan.al