Gazetari Taulant Kopliku, i ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, tregoi skemën sesi mashtrohen europianët, përmes call center-ave në Shqipëri.
Kopliku u shpreh se mashtrime bëjnë vetëm disa call-center dhe jo të gjithë. Ai tregoi se edhe kur ka arrestime, më shumë bëhen, pas investigimeve të emisioneve të huaja, sesa nga autoritetet shqiptare.
“Disa call center mashtrues ofrojnë “investime” në bursa, që do të thotë vjedhje dhe mashtrim. Dikush në Itali ngriti alarmin se dikush në Shqipëri po mashtron. Le Iene ka bërë investigime të rëndësishme për këtë fushë mashtrimi. Call center-at në Shqipëri përmendin kompani të mëdha italiane, më pas telefonata i kalohej një operatori që ishte në Shqipëri dhe kështu niste zhvatja me 250 euro në fillim, më pas i tregohej se i janë rritur shumat. Një person mund të jetë mashtruar me 200 mijë, 500 mijë euro. Në total bëhen 30 milionë euro të vjedhura qytetarëve europianë, sepse call center-at mashtrues kanë afër 10 punonjës. Nga investigimi i Le Iene, mund të them se personi i infiltruar punoi në Tiranë vetëm në dy ditë sepse kuptoi se mund ta zbulonin, por dhe me kaq ditë dokumentoi skemën e mashtrimit. Ka pasur kallëzime tek autoritetet italiane nga ana e qytetarëve atje, por nuk ecin përpara këto kallëzime, sepse ka raste që shumat nuk janë të mëdha”, tha gazetari Kopliku.
Policia e kryeqyetit ka goditur një sërë call center-ash, që mashtronin qytetarë euiropianë, duke i gënjyer se po investonin në bursa. Dhjetë persona u arrestuan në një operacion të ditëve të fundit në Tiranë, që kishte në fokus call center-a, të cilët mashtrojnë të huajt.















