Kryeministri Edi Rama ka mbërritur këtë mbrëmje në Vlorë, ku pritet të zhvillojë një takim me vajzën e Presidentit amerikan, Ivanka Trump.
Vizita zhvillohet nën masa të shtuara sigurie. Ndërkohë pak më parë ka mbërritur në Vlorë një tjetër delegacion në qytet, ku mendohet se ka qenë një përfaqësues i lartë i SHBA-së.
Vajza e presidentit të SHBA-së, Ivanka Trump mbërriti në Vlorë paraditën e sotme. Ajo ka ndalur në zonën e hidrovorit në Akerni, një territor i njohur për potencialin e tij të lartë në zhvillimin e turizmit elitar dhe investimeve strategjike.
E shoqëruar nga arkitektë të njohur dhe nën masa të rrepta sigurie, me praninë e forcave të shumta të policisë, Trump ka inspektuar nga afër vijën bregdetare dhe hapësirat përreth hidrovorit në Akerni. Vizita është përqendruar në vlerësimin e terrenit, infrastrukturës ekzistuese dhe mundësive që kjo zonë ofron për projekte të ardhshme zhvillimore.
Zona e Akernisë, e konsideruar prej kohësh si një nga pikat me potencial të madh për investime të rëndësishme turistike, ofron kushte natyrore të favorshme dhe një pozicion strategjik, çka e bën atë tërheqëse për projekte afatgjata në fushën e turizmit dhe zhvillimit ekonomik. Vizita e tyre ka ngjallur interes dhe vëmendje të madhe, duke përforcuar idenë se kjo zonë mund të shndërrohet në një pikë kyçe për investime të ardhshme.

















