Shqipëria, vend organizator i Konferencës Vjetore të IAIS për vitin 2025

Shqipëria do të mikpresë në vitin 2025 për herë të parë Konferencën Vjetore të Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve në Sigurime (IAIS), eventin më të rëndësishëm global në fushën e sigurimeve, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues nga mbi 150 autoritete mbikëqyrëse dhe rregullatore, si dhe përfaqësues të industrisë së sigurimeve.

Në Mbledhjen e Përgjithshme Vjetore të IAIS-it, zhvilluar më 5 dhjetor 2024 në Cape Town, Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit, Mimoza Kaçi, prezantoi platformën dhe vizionin e Autoritetit për organizimin e këtij eventi vitin e ardhshëm në Shqipëri. Në fjalën e mbajtur Kaçi theksoi marrëdhënien e shkëlqyer me IAIS, dëshmi e angazhimit të vazhdueshëm të Autoritetit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe harmonizim të praktikave mbikëqyrëse me standardet ndërkombëtare në sigurime. Gjatë vitit 2024, bazuar në rekomandimet e ‘Raportit të Vlerësimit të Përputhshmërisë’ të IAIS, janë hartuar dhe propozuar ndryshimet përkatëse, si në ligjin e sigurimeve dhe risigurimeve, ashtu edhe në ligjin për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, me qëllim forcimin e kuadrit ligjor dhe rregullator.

Drejtoresha e Përgjithshme në prezantimin e saj, ndër të tjera, u shpreh: “Qëndroj sot përpara jush si dëshmitare e transformimit të jashtëzakonshëm të vendit tim, Shqipërisë, të cilën do ta quaja thesari i vogël në zemër të Europës. Trashëgimia jonë kulturore është po aq e pasur, sa dhe unike. Ne jemi vendi i Nënë Terezës, shpirti i së cilës vazhdon të na frymëzojë dhe udhëheqë. Dëshiroj të jemi të gjithë bashkë vitin e ardhshëm për të përjetuar magjinë e vendit, që do të lërë gjurmë dhe do të mbetet gjatë në mendjen tuaj.”

Konferenca Vjetore IAIS 2025, do të mbledhë në Tiranë mbi 500 drejtues të nivelit të lartë nga autoritetet mbikëqyrëse dhe tregu i sigurimeve nga mbarë bota, për të diskutuar mbi zhvillimet dhe sfidat në fushën e sigurimeve. Njëkohësisht, ky event do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të promovuar Shqipërinë, si një destinacion të ri në fushën e turizmit. Pjesëmarrësit në aktivitet, shprehën interes të lartë, ndërsa vizituan stendën promovuese të Shqipërisë.




Ju sugjerojmë

Para















TE FUNDIT