Kryeministri i vendit, Edi Rama është nisur për një vizitë tre ditore në Kinë, nga e cila pritet të kthehet të enjten. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta është nisur për një vizitë zyrtare në Itali, vizitë për të cilën nuk ka njoftim zyrtar, por është e konfirmuar nga stafi i ngushtë i tij.
Kreu i shtetit, Bujar Nishani do të jetë sot, me 25 Nentor në Kroaci për një vizitë zyrtare, e konfirmuar kjo zyrtarisht përmes një njoftimi për shtyp të Presidencës.
Në këto kushte, Protokolli i Shtetit nuk është treguar serioz, duke lejuar të shkelet Ceremoniali zyrtar, dhe tre krerët më të lartë të shtetit të jenë njëkohësisht jashtë vendit, shtuar këtu dhe ekspozimin e vendit ndaj sulmeve terroriste si në gjithë Evropën.
Në kapitullin e katërt të ceremonialit zyrtar, pikërisht në pikën 1.11, thuhet: “Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të tre personaliteteve kryesore jashtë shtetit. Vizitat koordinohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit në të njëjtën kohë”.
Moskoordinimi duket se ka sjellë këtë situatë.