Vazhdon të rritet bilanci i numrit të të vrarëve në shpërthimin e mbrëmjes të ndodhur në kryeqytetin turk, Ankara. Sipas të dhënave të deritanishme janë të paktën 21 persona që kanë humbur jetën dhe 61 të tjerë të cilët kanë mbetur të plagosur.
Shpërthimi ndodhi pranë një makine ushtarake e cila po kalonte në afërsi të parlamentit dhe zyrave qëndrore të ushtrisë turke.
Sipas dëshmitarëve shpërthimi është dëgjuar thuajse në të gjithë kryeqytetin turk, teksa flakët dhe tymi mbuluan të gjithë zonën e rrethuar nga forca policie, zjarrëfikëse dhe autoambulanca.
Sipas autoriteteve lokale, ka qenë një automjet i mbushur me eksploziv që ka shpërthyer në momentin kur një autokolonë ushtarake po kalonte në rrugën afër selisë së parlamentit.
Zëvendëskryeministri, Bekir Bozdag, e quajti “akt terrorist” ngjarjen, kurse kryeministri Ahmet Davutoglu anuloi një udhëtim të planifikuar për në Bruksel.