Njëherë e një kohë thuhej se ishin shumë miq. Madje vetë Blushi ishte bërë sebep që Rama të katapultohej shpejt drejt ëndrrës për tu bërë kryetar i Partisë Socialiste. Po si në art ashtu edhe në politikë, miqësitë nga armiqësitë, i ndan shpesh një sentiment; që është egoja për protagonizëm.
Aq sa një ditë Shkrimtari vendosi të mos gënjejë më për partinë e kësisoj të mos e mbulojë më diellin me shoshë për kryetarin Piktor, edhe pse ishte një nga përkrahësit më të flaktë të tezës së Rilindjes. Pikërisht të asaj Rilindje, që po vetë pa u mbushur moti i parë nga lindja, do ti kushtonte një fjalim funebër në funeralin ku ishte përcjellës. Një fjalim ku mbi arkmortin e Rilindjes qau gjithë të zezat e një teze që ai do ta quante të vdekur që në lindje.
“Për shkak të detyrimit për të fituar, Partia Socialiste bëri koalicion. Ia la pushtetin Rilindjes. I dhuroi organizimin dhe i huazoi zgjedhësit. Por, megjithëse fitoi zgjedhjet, Partia Socialiste nuk qeverisi asnjë ditë. Që nga dita e parë qeveris Rilindja. Qeveris ambalazhi dhe jo kutia.
Nëse sheh çfarë po ndodh me Rilindjen, kauzën që kërkoi besim dhe u votua përpara 22 muajsh, kupton se ajo është kthyer në një institucion të paadministrueshëm. Rilindja nuk ka më kontroll mbi veten dhe prandaj nuk parashikon dot pasojat që po afrojnë. Rënia e lirë është tipari i saj më i dukshëm. Mediokriteti është pesha e papërballueshme që e tërheq poshtë. Hipokrizia është shkëlqimi që shohim në ajër. Neveria është shija e saj. Vrima është gjurma. Zbrazëtia është zhurma.”
Një fjalim që ishte vetëm fillimi i fundit të pandalshëm të një miqësie. Jo edhe aq të paparashikueshme. Pasi Shkrimtari dhe Piktori kishin përjetuar edhe më herët dimrin në marrëdhëniet e tyre. Një dualizëm i heshtur që shpesh varej edhe nga ngrohja e motit, por që shpejt linte të kuptohej se gjerbja e kafeve gjithmonë e më të rralla midis të dyve në oborrin e Selisë Rozë, më shumë se me nevojën për ajër të freskët, kishte të bënte me ndotjen e ajrit brenda PS-së.
Si në këtë foto, ku Shkrimtari thithte pa frymë cigaren dhe piktori që ndihej i pickuar nga shikimi depërtues i bashkëbiseduesit.
Një foto e cila rezulton të jetë e fundit, ku Blushi dhe Rama ndajnë bashkë pak çaste solemne. Pasi më tej ka vetëm luftë të hapur. Luftë të cilën Blushi e quan parimore. Luftë për një parti e cila ka treguar se gjithmonë ka pasur dicka plus përsa i përket demokracisë së brendshme, në krahasim me simotrat e saj shqiptare.Parime të shkelura në status, të cilat e detyruan Blushin ta krahasojë Ramën me Saliun dhe Enverin për nga mënyra se si e ka zaptuar Partinë Socialiste dhe nuk pranon të hapë zgjedhjet për kryetar.
“Ky është një mandat i grabitur me të cilin nuk pajtohem dhe nuk do pajtohem kurrë. Si mund të besojmë reformat, kur nuk zbatojmë ligjin e partisë? A mund të vijë një djalë apo një vajzë 20 vjeç kur këtu nuk zgjidhet? Do këmbëngul deri ditën e fundit që në PS të ketë zgjedhje në të gjitha nivelet. I vetmi ushqim i juaji janë ato që themi ne në këtë rast ka një dokument, i cili është statuti i PS, ju kërkoj ta konsultoni”.
Dhe pasi shpalli të vdekur Rilindjen, Shkrimtari vendosi ta mprehë hostenin dhe të mos e kursejë penën ndaj Piktorit. Madje duke i shkruar në vetë të parë. Aq sa Piktori mësoi edhe duhanin.
“Jemi e vetmja parti në Europë që na është kërkuar të shkëputemi nga krimi”
Akuzë më të rëndë për Ramën, aq më shumë kur vjen nga një anëtar kryesor i familjes, nuk do të kishte.
Por Shkrimtari kandidat për Kryetar, nuk ndalet këtu…Të gjithë mllefin e ka të përqendruar në një emër të vetëm: Edi Rama. Aq sa e cilëson si njeriun përgjegjës që fshiu nga partia të gjithë kontribuesit e saj historik, për të futur në të kriminelë, të cilët më pas i veshi me kostumin e deputetit.
“Edi Rama penalizoi gjithë ata njerëz që u grumbulluan kundër tij në 2009. Të gjithë i ka hequr nga PS. Nuk është çështja se i hoqi njerëzit që dolën për një tjetër alternativë në 2009. Pyetja është se me kë i ka zëvendësuar. Me kë zëvendësoi ata që hoqi nga listat me banditë! Është e vërtetë, i zëvendësoi me banditë me njerëz që vijnë në parlament me pistoletë, me njerëz që kërkojnë pronën publike me pistoletë, me njerëz që plagosin për interes privat. I ka zëvendësuar me biznesmenë, që sot i ushqen me tendera. Dhe këta blejnë me lekët e tenderave blejnë votat për Edi Ramën brenda partisë.”
Dhe si për ta ngulur edhe më thellë thikën në plagën e majisur, Blushi e godet Ramën, pikërisht aty ku kamzhikët e opozitës godasin më fort. Te konceisionet dhe ministrat e korruptuar.
“Kryeministri vendos kujt t’i japë konçesion, Kryeministri vendos se çfarë reformash do të bëjë. Partia nuk ka tagër, ka tre vjet që nuk merr asnjë vendim. Vendimet i merr Rama, Partisë i kërkon vetëm mbështetje pa i dhënë asgjë”
Tani Blushi ia ka lënë dërrmën e fundit Ramës në Kongresin e Partisë që do të mbahet në 29 mars. Kështu ka thënë. Aty ku ka thënë se do ia numërojë në sy gjithë të zezat…..Shkrimtari dhe Piktori… Dueli është i hapur/ Opinion.al