A ka gjë më të panevojshme, më të çuditshme dhe më të kotë se shkolla sot ndër shqiptarë (dhe edhe në tërë Ballkanin, së paku)? Apo pse shkolla sot në Shqipëri, Kosovë etj, është e keqja e domosdoshme më e shpeshtë? Apo pse shkolla sot është gjëja më e përçmuar nga të gjithë?
Të vetmit që ende besojnë në shkollën si diçka e vlefshme janë fëmijët e klasave të para, dhe as ata të të dytave dhe as ata të të tretave, pikërisht dhe vetëm sepse ende janë të pakorruptuar nga frustrimi jonë kolektiv, prindëror dhe individual.
Dhe kur populli vendos diçka, si që ka vendosur se shkolla është e panevojshme, aty ka një të vërtetë të pakontestueshme.
Asnjë nga gjërat që shkruaj këtu, dhe gjërat që flas e dëgjoj, dhe bëj unë, por edhe ti, nuk janë në harmoni me mësimet e shkollës. Atëherë ose shkolla është e vonuar, ose ajo është e tepërt.
Të fillojmë nga fëmijët: e vetmja arsye pse nxënësit e klasës së parë besojnë në shkollë, shkollim dhe mësim, është se kështu mendojnë se do të rriten, sepse kështu mendojnë se do të arrijnë të nënshtrojnë këtë sistem “prindëror” nga i cili varen dhe se mund të fitojnë pavarësinë. Por a mund të fitohet sot në Kosovë pavarësia me shkollim? Mund të fitohet njëlloj pavarësie në një fushë të caktuar dijeje, me specializime e tituj shkencor, por në fund e vetmja pavarësi që fitohet nga të gjithë titujt e mundshëm shkencor e të edukimit në Kosovë është pavarësia nga vet shkollimi dhe jo nga vuajtja. Por as kjo nuk është e vërtetë sepse, në të vërtetë krejt çka fitohet është pavarësia nga mentori, profesori dhe pedagogu i cili qysh në fillim kushtëzon mësimnxënien tënde me nënshtrimin ndaj tij. Dhe fëmijët e klasave të para e mësojnë këtë qysh në klasën e dytë kur gjërat fillojnë të përsëriten.
Kjo nuk do të thotë se pedagogët shqiptarë janë farë sadistësh dhe vrasës të vetëdijshëm të ardhmërisë dhe pavarësisë së fëmijëve, por sepse janë pre e sistemit që i ka izoluar brenda pamundësisë së tyre, brenda panevojshmërisë së tyre, brenda afatit të skaduar të tyre në këtë botë të re.
Të kalojmë tek shkollat e mesme: cila është më me rëndësi për adoleshentin sot? Mbijetesa shoqërore apo edukimi? Shoqërimi me një të kamur apo formula e ujit? Kur adoleshenti në moshën e tij bëhet i vetëdijshëm për potencialin e tij/saj fizik, pra edhe për forcën seksuale, ai ka dy zgjedhje: të solidarizohet me sistemin apo të krijoj rrugën e vet. Dhe sot qoftë sipas trendeve kulturore dhe sociologjike globale dhe qoftë sipas gjendjes që mirëqenies në Kosovë i riu nuk beson në sistem, e ka lexuar/tejkaluar atë qysh në klasën e dytë të shkollës fillore dhe ai është tërësisht i panevojshëm.
Sa i përket gjendjes psikike të adoleshentit sot, sipas një studimi serioz në një prej vendeve më të zhvilluara të botës, është matur stresi i tyre në shkolla. Shkalla e stresit ka dalë 50 herë më e madhe se e të çmendurve në sanatoriumet mendore të shekullit të kaluar, dhe po e përsëris në një prej vendeve me mirëqenien më të sigurt në botë. Çka hynë në këtë tërmet emocional shkolla? Çka përfiton adoleshenti sot prej saj?
Në universitetet shqiptare i riu student sot është sikur poezia në bark të zbrazët. Është krejtësisht, jo vetëm i parëndësishëm, por edhe i çmendur. Studenti sot është njëlloj Don Kishoti i cili jeton në të kaluarën e lavdishme të profesorëve dhe intelektualëve. Për më shumë ai është viktima e radhës së profesorit i cili poashtu ka mbetur i tepërt në këtë botë, dhe do të bëhet i izoluari i radhës së traumës së profesorit.
Cilido prind sot do të sakrifikonte shkollimin e fëmijës së tij për një siguri materiale të qëndrueshme. Cilido prind do të mohonte çfarëdo shkollimi të fëmijës së tij mbi pesëvjeçare për një pozitë sociale. Cilido prind do të dërgonte fëmijën e tij më parë në një shkollë të mbijetesës se sa të mësonte për formulat e reaksioneve kimike.
Edhe kjo ngjanë në një zbythje të shoqërisë, por duhet pranuar edhe realitetin e prekshëm: mundësitë që ofron shkolla dhe pavarësia që vjen prej saj.
Ta masim një pesëshe të shkollës: sa kushton ajo? E kam fjalën në tregun e fuqisë punëtore jo për xhepin e pedagogut. Sa vlen një pesëshe, një dhjetëshe, një diplomë masteri apo doktorature në tregun shqiptar? Sa është e punësueshme ajo? Sa dobi ka shoqëria nga ajo? Sa dobi ka familja e vetë bartësit të titullit nga ajo dhe sa dobi ka vetë individi? Apo të dalim ta krahasojmë atë me jashtë shoqërisë shqiptare. Sa ka ajo qëndrueshmëri kur çdo i sëmurë me dy euro në xhep shërohet në Shkup, Stamboll Athinë e Selanik, e qoftë edhe në Serbi, apo edhe më larg, me një titull nga Hungaria apo Lituania, apo edhe SHBA dhe Gjermania e Japonia?
Edukimi i mirëfilltë sot në vendet më të zhvilluara është më i shtrenjti i të gjitha kohërave, jo për tjetër por sepse garanton mirëqenie dhe pavarësi të plotë nga familja, sistemi i edukimit, por jo edhe nga ai i pushtetit. Është mënyra më bashkëkohore e vënies në shërbim të pushtetit duke e futur studentin në borxh të pashlyeshëm financiar.
Shkolla vjen si organizim kolektiv për të ngritur vetëdijen shoqërore. Ndërsa sot ndër shqiptarë shoqëria nuk ekziston, së paku si përpjekje kolektive. Ajo është e eksploduar në miliona luftëra, përpjekje dhe mungesa individuale që nuk mund të arrijnë të bashkohen kurrë pa inercionin e pushtetit. Andaj populli e sheh shkollën sot si një lojë apo rekreacion të fëmijëve duke qenë se ajo kurrë nuk do të krijoj mundësi të tyre për një mirëqenie, ajo arrihet ndryshe në vendet si Shqipëria e Kosova.