Nga Leon KAZA
Shenimet e një mjeku
17 Prill – Reintervent për kolika biliare. Hapja ishte shumë e vështirë nga aderencat. Realizova heqjen e kolecistës, ndërkohë që pati një hemoragji nga arteria të cilën e kapa dhe e lidha. Pas operacionit pacientja pati shumë dhimbje. Në ditën e dytë u shfaq ikteri ndërsa nga plaga rrodhi bilë. Ditën e katërt dhe të pestë ikteri dhe rrjedhja u shtuan në mënyrë të ndjeshme. Pacientja vdiq mëngjesin e ditës së gjashtë. Isha krejt i bindur se e kisha kryer interventin në mënyrë korrekte, dhe për asnjë çast nuk dyshova në atë që kishte ndodhur – kisha prerë duktusin hepatik.
Këtë e kisha bërë gjatë hemoragjisë duke supozuar se ishte një enë gjaku. Me fjalë të tjera, kisha bërë një gabim të madh teknik, kisha dështuar ta identifikoja, e për më shumë, as që do e besoja nëse nuk do ta kisha parë më sytë e mi gjatë ekzaminimit pas vdekjes.
Ky është një nga 337 rastet e përshkruara në librin “Studim mbi efiçencën spitalore” nga Ernest Codman, njëri prej kirurgëve më të mëdhenj amerikanë të shekullit 20. Codman mendonte se të dhënat e ecurisë së pacientëve duhet të regjistrohen dhe të bëhen publike. Idetë e Codmanit janë sot në bazë të standardizimit të kujdesit shëndetësor, mjekësinë e bazuar në të dhëna si dhe programit të edukimit në vazhdim. Duke bërë publike punën e tij, Codman ishte i pari që hodhi dritë mbi gabimet mjekësore dhe sigurinë spitalore.
Nisur nga ngjarja tragjike e ditëve të fundit ku një nënë shtatzënë humbi jetën së bashku me foshnjën e saj, fokusi i diskutimeve është vendosur mbi gabimin mjekësor. Në asnjë vend të botës sistemi shëndetësor nuk është aq i sigurtë sa duhet. Instituti i Mjekësisë Amerikane e përcakton gabimin mjekësor si dështim i një veprimi për tu kompletuar siç ishte parashikuar, ose përdorimi i një plani të gabuar për të arritur një qëllim të caktuar (gabim planifikimi).
Sipas këtij instituti mbi 90 mijë amerikanë humbin jetën çdo vit si rezultat i gabimeve mjekësore. Vdekjet nga gabimet mjekësore tejkalojnë ato nga aksidentet automobilistike, kanceri i gjirit apo SIDA. Sistemi shëndetësor përfaqëson një set elementësh human dhe johuman të cilët ndërveprojnë për të arritur një qëllim. Ndonëse shkaku më i shpeshtë i aksidenteve mjekësore është gabimi njerëzor, kjo nuk do të thotë ta fajësosh dikë pasi shumica e gabimeve njerëzore janë të induktuara nga dështimi i elementëve të tjerë të sistemit (aparatura, teknologji, strukturë). Fajësimi i një personi nuk ndikon në ndryshimin e këtyre faktorëve për pasojë e njëjta ngjarje ka shumë gjasa të rindodhë. Parandalimi i gabimeve mjekësore kërkon një ndërhyrje sistemike për të modifikuar kushtet të cilat kanë kontribuar në ndodhjen e gabimit.
Sa i njohur është publiku shqiptar me konceptet e gabimit mjekësor dhe sigurinë spitalore? Të dy këto koncepte shkojnë paralel me nivelin e zhvillimit dhe pjekurisë së një shoqërie. Sa më e papjekur një shoqëri aq më e varur nga rrëfimi anektodal rreth gabimeve mjekësore dhe mistifikimi i punës së personelit shëndetësor. Shoqëria jonë e koncepton mjekun “mbinjeri” që në çdo rast e ka një prekje magjike për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve të cilën e përdor ose jo sipas një bonusi të supozuar motivues, dhe jo si një profesionist të industrisë së sistemit shëndetësor puna e të cilit është e lidhur me ndërveprimin e shumë faktorëve.
Pikërisht në këtë terren papjekurie gabimi mjekësor paraqitet si faj, dy koncepte këto aspak të ngjashme të cilat edhe sistemi ynë ligjor i ka të paqarta. Në ngjarjen e fundit ajo që ra në sy ishte mënyra emocionale e reagimit nga ana e gjithë grupimeve të përfshira. Po nëse është i kuptueshëm reagimi i personave të dëmtuar, sjellja emocionale e organeve të drejtësisë është e palogjikshme, e pakuptueshme dhe e patolerueshme. Nuk është hera e parë që mjekëve iu vihen prangat me lehtësi të çuditshme.
Ku e merr guximin sistemi i drejtësisë të penalizojë shtresën më elitare të shoqërisë në mënyrë pak për të thënë të nxituar. Ky në fakt është një veprim burracak, ashtu siç është burracak reagimi i turmave mendjelehtë në rrjete sociale dhe media të cilat vërshuan me një vrer të papërshkrueshëm ndaj ofruesve të shërbimit shëndetësor. E cilësoj këtë term pasi nuk verifikohet ky zell i shoqërisë dhe institucioneve për t’ju kundërvënë fenomeneve negative deri kriminale në fusha të tjera. Një veprim i tillë thellon hendekun mosbesues mjek-pacient, një nga vektorët më të rëndësishëm në arritjen e rezultateve të dëshiruara, e për më keq personifikon mjekun me fajtorin çka ekspozon personelin shëndetësor në mënyrë të padrejtë ndaj rreziqeve të paparashikuara. A mund të veprojnë organet ligjore për vlerësimin e një veprimi a mosveprimi të caktuar kur bordet e ekspertizës së fushës nuk janë shprehur dhe a duhet që në secilin rast objekt i vlerësimit të jetë institucioni spitalor dhe jo një individi.
Pacientët ia besojnë shëndetin institucionit spitalor, veprimi a mosveprimi i qëllimshëm është objekt i vlerësimit individual, por jo gabimi mjekësor. Në rastin e gabimit mjekësor pasojat duhet të bien mbi strukturat spitalore gjë e cila do të detyrojë trupat menaxhuese së pari të standardizojnë një shërbim të caktuar dhe së dyti do të racionalizojë burimet njerëzore dhe politikat rekrutuese. Rekrutimi i personelit shëndetësor në shërbimet tona terciare është abuziv, jo i drejtë, korruptiv dhe nepotik. Shpesh herë nuk është i bazuar në meritë po në preferenca subjektive të drejtuesve nën ndikime abuzive nga më të ndryshmet. Pasojat e një sjellje të tillë do të ndihen në të ardhmen e afërt me dëmtimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor. Të ndodhur nën presion me kolegë të ndaluar në mënyrë të turpshme edhe ne mjekët reaguam në mënyrë emocionale. Në këtë hulli rrezikojmë të shkojmë drejt dy llojeve të pakëndshme të kujdesit shëndetësor, drejt mjekësisë difensive dhe mjekësisë fataliste. Mjekësia difensive nën presionin e gabimit mjekësor nuk guxon, nuk merr përsipër raste të rënda, nuk kërkon rrugë të reja për tejkalimin e problemeve për pasojë nuk përmirëson cilësinë e shërbimit mjekësor edhe nëse kjo nënkupton gabime të pafajshme mjekësore.
Mjekësia fataliste është në ekstrem të mjekësisë difensive. Mjekësia fataliste nuk ka arsye por justifikime, nuk ka shpresë por statistikë, nuk ka plan por improvizim për pasojë jo vetëm që nuk përmirëson por institucionalizon dështimin mjekësor. Është lehtësisht e verifikueshme që edhe në rastin në fjalë u panë fenomene të kësaj lloj mjekësie difensivo-fataliste, të kalçifikuara pas shifrash, citimesh, raportime rastesh të cilat të përdorura vend e pavend madje edhe nga politikanë krijojnë pasiguri, konspiracion duke mos i shërbyer ridimensionimit të themelit të marrëdhënies mjek pacient dhe në një nivel më të gjërë, rritjes së autoritetit dhe vlerësimit të figurës së mjekut.
A dështoi sistemi mjekësor?
Sistemi shëndetësor ka një qëllim, ka edhe një produkt të matshëm, ai është shëndeti. Në rastin kur kemi humbur jo një po dy jetë, është cinike të flasësh që sistemi funksionon. Të thuash se sistemi ka funksionuar në këtë rast do të thotë që ngjarje të tjera të ngjashme do të ndodhin me të njëjtin përfundim. Në këtë kuadër shpresa nuk do të jetë te kujdesi shëndetësor po te shpeshtësia e diagnozave të caktuara. Kjo është mjekësi fataliste të cilës me kurajo nuk duhet ti nënshtrohemi. Ngjarja nuk ndodhi për 60 minuta, brenda një strukture spitalore; ajo u zhvillua për 8 orë nën një trokth fatal mes tre institucioneve shëndetësore më të specializuara të vendit. Natyrisht impakti nuk do të ishte i njëjtë nëse nuk do të kishte qenë kjo ecejake dëshpëruese në përpjekje për jetën.
Në rastin në fjalë mendoj se sistemi ynë dështoi. Sistemi dështoi në diagnostikim (gabime dhe vonesë në diagnozë; dështim i përdorimit të testeve të indikuara; dështim në ndërmarrjen e veprimeve sipas testeve); sistemi dështoi në trajtim (gabim në kryerjen/moskryerjen e një interventi proçedure apo testi). Sistemi dështoi në komunikim dhe aparatura mjekësore. Në çdo rrethanë zgjidhja do të kërkonte bashkëveprim të shumë disiplinave mjekësore të cilat nuk dimë se si dhe sa kanë komunikuar mes tyre. E sigurtë është se këto disiplina mjekësore nuk kanë qenë asnjëherë të gjitha së bashku. Kjo pasojë e një sistemi të strukturuar në mënyrë të gabuar.
Këto janë tipet kryesore të gabimit mjekësor të një sistemi. Është e paimagjinueshme që materniteti më i mirë në vend të mos ketë nje repart të imazherisë, të avancuar madje (ekografi, skaner, rezonancë, PET). Këto ekzaminime janë të domosdoshme në diagnostikimin dhe trajtimin e patologjive të ndryshme, në vlerësimin paraprak dhe ndjekjen e interventeve kirurgjikale, në vlerësimin e të porsalindurve si dhe në zhvillimin e proçesit kërkimor dhe akademik në një spital universitar. Po nëse këto mungojnë në klinikat universitare a mund të mendohet se ç’ndodh në spitalet e rretheve. Konkretisht në maternitetin e Lezhës me 1500 lindje ne vit dhe 600 intervente të llojeve të ndryshme, ka dekada që nuk bëhet asnjë investim. Godinë e amortizuar, mungesa në aparatura, monitorë fetalë, ekografi, inkubatorë, mungesa në laborator dhe në burime njerëzore. Abandonim dhe indiferencë totale ndaj kërkesave tona. Si përcaktohen prioritetet në investimet në shëndetësi.
A vlen të hapet reparti i dializës në spitalin e Lezhës kur shërbimet e tjera punojnë jashte kushteve minimale. Cila është siguria spitalore dhe sa të ekspozuar jemi ne para gabimit mjekësor? Sepse gabimi mund të ndodhë, dhe ai është i pranueshëm në një shoqëri që mjekun e cilëson një profesionist të sistemit shëndetësor dhe jo një superman që duhet të zgjidhë çdo situatë në mungesë të gjithçkaje. Është mirë të debatojmë hapur për këto tema, pikë së pari ne mjekët, të harruar në sakrificat e përditshme dhe viktimat e para të një sistemi disfunksional. /Marrë nga Tema
*Autori është shef i Shërbimit të Obstetrikë-Gjinekologjisë, Spitali Rajonal Lezhë