Bota

SHBA: Ligjvënësit arrijnë marrëveshje për paketën e ndihmës ekonomike


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 11:31 - 21/12/20 |
Opi Nion

Udhëheqësit republikanë dhe demokratë në Kongresin amerikan thanë të dielën mbrëma se kishin finalizuar një paketë prej 900 miliardë dollarësh, për të ndihmuar ekonominë e goditur nga pandemia.

Komentet e tyre vijnë pas përpjekjeve që kanë vazhuar për rreth 9 muaj. “Më në fund mund të raportojmë atë që vendi ynë kishte dashur ta dëgjonte prej një kohe shumë të gjatë: Ndihma e re po vjen,” tha kreu i shumicës republikane të Senatit, Mitch McConnell të dielën mbrëma.

Paketa është stimuli i dytë më i madh ekonomik në historinë e SHBA, pas asaj prej 2.3 trilionë dollarësh të miratuar në mars. Marrëveshja vjen ndërsa pandemia po shkallëzohet, duke infektuar më shumë se 214,000 njerëz çdo ditë në SHBA. Më shumë se 316,000 amerikanë kanë vdekur nga koronavirusi.

Paketa parashikon 600 dollarë pagesa direkte për individët, ajo do të rrisë pagesat e papunësisë me 300 dollarë në javë dhe do të siguronte ndihmë për bizneset e vogla.

Udhëheqësi i shumicës demokrate të Dhomës së Përfaqësuesve, Steny Hoyer informoi ligjvënësit e Dhomës se do të votonin fillimisht për një projektligj që do të siguronte financimin e qeverisë deri të hënën, për të shmangur përkohësisht mbylljen e saj, për shkak se afati përfundonte të dielën në mesnatë.

Votimi përfundimtar mbi projektligjin e financimit dhe atë të ndihmës për koronavirusin do të zhvillohet fillimisht të hënën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe pastaj do t’i kalojë Senatit për votim.

Kongresi synon ta përfshijë paketën e ndihmës për koronavirusin në një projektligj shpenzimesh prej 1,4 trilion dollarë që financon qeverinë deri në shtator 2021.

Projekt-ligji lë jashtë tij dy nga elementët më të diskutueshëm në negociata: mbrojtjen ligjore të bizneseve nga proceset gjyqësore të lidhura me koronavirusin, diçka e kërkuar nga republikanët, dhe ndihmën për shtetet dhe qeveritë lokale, që kërkonin demokratët./ VOA

Pas