Kaos dhe viktima në Venezuelë në përpjekjen për të futur ndihmat humanitare në vend. Dy vetë humbën jetën, 300 të tjerë u plagosën. Forcat e sigurisë përdorën gazin lotsjellës dhe plumba gome në disa qytete kufitare.
Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo shkroi në Twitter se “ka ardhur koha për të vepruar” dhe “për të ndihmuar “popullin e dëshpëruar venezuelian”. Ai bëri të ditur “masa” të Uashingtonit për mbështetjen e demokracisë në Venezuela.
Pas njoftimit për humbjen e jetës së dy civilëve, edhe këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë, John Bolton shkroi në Twitter se autorët do të dalin para drejtësisë. “Ushtria është për të mbrojtur civilët e jo për të qëlluar mbi ta.”
Të premten qeveria amerikane paralajmëroi, presidentin Maduro, nga përdorimi i dhunës. “Bota po shikon”, thuhet në deklaratën e Shtëpisë së Bardhë të publikuar të premten./Opinion.al