Shalqini tul verdhë i njohur si Krimson i Verdhë është pothuaj binjaku i shalqinit të varietetit Krimson të Ëmbël.
Në shije ama, shalqini i verdhë është më i ëmbël dhe ka një shije pak a shumë si mjalti.
Dëshira për t’iu përshtatur kërkesave dhe trendeve globale të eksportit u transformua në shtysë e fortë për fermerët e Divjakës, të cilët investuan në mbjelljen e disa kulturave eksperimentale për Shqipërinë siç është shalqini i varitetetit Krimson të Verdhë.
Ky produkt është shumë i kërkuar në tregjet globale dhe mjaft i suksesshëm. Një sasi e vogël shalqini të verdhë ka gjetur rrugën për në tregun shqiptar duke shkaktuar një sërë spekullimesh.
Kur presin shalqinin, shqiptarët presin që ai të jetë i kuq. Mund ta quajmë kryeneçësi por nuk ne nuk pranojmë ngjyrë tjetër veç të kuqes.
E megjithatë duke qenë se të dy varietetet janë shumë të ngjashme së jashtmi, konsumatorët u kapën në befasi duke qenë se askush nuk i kishte njoftuar për blerjen e tyre të pazakontë.
Fotografi të shalqinit të verdhë u shpërndanë si rrufe nëpër rrjetet sociale, duke shkaktuar stuhi të mirëfilltë.
Të shumtë ishin ata që u alarmuan, ngritën zërin dhe paragjykuan duke e përshkruar këtë frut të pafaj si subjekt të një modifikimi gjenetik ose edhe mashtrim të ligë nga ana e fermerëve.
Shumë zhurmë për asgjë… E vërteta e pamohueshme është që nuk bëhet fjalë as për produkte të modifikuara gjenetikisht as për mashtrime.
Bëhet fjalë për një hyrje të re në treg…./Agroweb