Llogaritë bankare të një shoqërie italiane janë sekuestruar me kërkesë të Prokurorisë Tiranë nën dyshimin për pastrim parash.
Përmes një njoftimi për mediat Prokuroria bëri me dije se u sekuestruan llogaritë bankare të shoqërisë ‘N.’ shpk, themeluar nga shtetasi Italian B.R. më 10.01.2022, nën hetim për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale’.
Në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.3695 të vitit 2024, shoqëria në fjalë, e cila ushtron aktivitet në ‘Ndërtim, prodhim, mirëmbajtje, riparim dhe mirëmbajtje ne terren të avionëve’ rezulton me një aktivitet dhe transferta të dyshimta.
Nga hetimet e prokurorisë së Tiranës, rezulton se shtetasit e përfshirë T.G., J.L., dhe B.R, janë dënuar në vitin 2016 nga Gjykata e Shkallës së Parë në Itali për mashtrim në përfitimin e fondeve publike dhe se zotërojnë dhe drejtojnë disa biznese atje në fushën e aeronautikës.
“Duke marrë në konsideratë kërkesën për transferimin e fondeve jashtë vendit dhe mungesën e informacionit lidhur me ecurinë e likuidimit të detyrimeve, ndodhur edhe përpara rastit të ngutshëm, pasi ekziston rreziku që këto pasuri, të cilat dyshohen si produkt i veprimtarisë kriminale, të transferohen apo të fshihen, është e nevojshme kryerja e sekuestrimit e llogarive bankare të shoqërisë “N.” shpk, në vlerat: 1,539,490 ALL; 20,348.24 EUR; dhe 479.820,56 USD”, bën me dije Prokuroria e Tiranës.