Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka reaguar pas vendimit të Bordit të Transparencës për të rritur çmimin e naftës me 22 lekë duke e çuar në 245 lekë/litër.
Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Salianji tha se ndërkohë që qytetarët paguajnë çmimin më të lartë të karburanteve në rajon, qeveria mbron oligarkët nëpërmjet bordit dhe favorizon kontrabandën e naftës.
Sipas Salianjit nga rritja pa limit e çmimit po pasurohet qeveria dhe oligarkët, ndërsa po varfërohen qytetarët.
“Bordi i qeverisë, garanci e abuzimit me çmimet e karburanteve! Qytetarët vazhdojnë të paguajnë çmimin më të lartë të karburanteve në rajon dhe ndër më të shtrenjtët në botë, qeveria të vetmin kujdes ka të mbrojë oligarkët nëpërmjet bordit dhe favorizimeve të tjera si kontrabanda! Nga rritja pa limit e çmimit po pasurohet qeveria, po pasurohen oligarkët dhe po varfërohen përditshëm qytetarët! Kontrabanda e naftës ndërkohë rritet proporcionalisht me rritjen e çmimit, së paku tre herë anijet nga një vend nën embargo si Libia kanë zbarkuar në Shqipëri! Protesto!”, shkruan Salianji./Opinion.al