Shumë kohë përpara se zoti Donald Trump të shpallte fushatën për t’u rizgjedhur president, ai nisi një fushatë më pak të bujshme, atë për të siguruar mbështetjen e republikanëve.
Në fillim të vitit 2021, pas humbjes ndaj demokratit Joe Biden dhe ngritjes së dyshimeve se frymëzoi një turmë mbështetësish për të sulmuar Kapitolin, duke u përpjekur të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, ai filloi të hedhë bazat për mbështetje në Kongres, që do t’i duhej në rast të rikthimit të tij.
Falë darkave të bollshme tre-orëshe, të organizuara në klubet e tij private, me fushata për mbledhje fondesh, udhëtime me avionin e tij privat dhe me ofrimin e përkrahjes për kandidatët e tjerë, zoti Trump siguroi mbështetjen e ligjvënësve republikanë.
Në kohën e zgjedhjeve të paraprake në Ajova, ish-Presidenti Trump kishte siguruar mbështetje nga 120 republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve dhe nga gati gjysma e republikanëve në Senat. Të mërkurën, pasi Trump fitoi zgjedhjet paraprake në Nju Hempshër, përkrahja u rrit edhe më shumë, me një shumicë solide të republikanëve në të dyja dhomat e Kongresit.
“Ka ardhur koha që Partia Republikane të bashkohet rreth Presidentit Trump”, tha kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson pas fitores së zotit Trump në Nju Hempshër.
Është një kthesë e jashtëzakonshme për ish-Presidentin Trump, fushata e të cilit po fuqizohet jo vetëm nga votuesit besnikë, por edhe nga republikanët e zgjedhur në Kongres. Këta ligjvënës duket se nuk duan ose nuk janë në gjendje të ndalojnë ngritjen e tij, pothuajse duke siguruar që zoti Trump të mos ketë pengesa institucionale për marrjen e emërimit nga partia e për një rikthim të mundshëm të tij ne pushtet.
Vetë zoti Trump iu gëzua përkrahjes së atyre që qëndronin pas tij në natën e zgjedhjeve në Nju Hempshër, ku po përpiqej të nxirrte nga gara rivalen e tij të vetme republikane, Nikki Haley. Ish-Presidenti siguroi mbështetjen edhe të republikanëve nga shteti i saj, Karolina e Jugut. Ai veçoi senatorin Tim Scott dhe gjatë një komenti tha se ai “me siguri e urren” zonjën Haley, ish-guvernatoren e shtetit të Karolinës së Jugut.
Senatori, dikur vetë pjesë e garës për president, doli para mikrofonit për të korrigjuar ish-Presidentin, duke thënë: “Thjesht, të dua”.
Gara për të siguruar mbështetje, me vite të tëra, është orkestruar me kujdes si një mënyrë për t’i sjellë një legjitimitet zyrtar të Uashingtonit zotit Trump, ndaj të cilit Dhoma e Përfaqësuesve, ka nisur dy herë procedurat për shkarkim, duke ngritur akuza edhe për sulmin ndaj Kapitolit. Ish-Presidenti Trump përballet aktualisht edhe me akuza federale nën dyshimet se nxiti sulmin në Kapitol, mes dhjetëra akuzave të tjera në disa çështje të ndryshme gjyqësore.
Megjithëse më parë kishte një lloj rezistence, tani zoti Trump në thelb ka fituar mbështetjen nga të gjitha segmentet e Partisë Republikane në Kongres. Kjo mbështetje vjen edhe nga ekipi udhëheqës i republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, përfshirë shefin e grupit parlamentar Tom Emmer, i cili kishte votuar për të çertifikuar zgjedhjen e zotit Biden në vitin 2020, deri tek kryetari i grupit të vijës së ashpër konservatore “Freedom”, ligjvënësi Bob Good i Virxhinias, i cili ndryshoi shpejt qasje, javën e kaluar, kur guvernatori i Floridës Ron DeSantis pezulloi fushatën e tij presidenciale.
Republikanët në Senat, të cilët dikur përbënin një grup më të zëshëm skeptikësh ndaj zotit Trump, gjithashtu po i bashkohen grupit mbështetës të ish-presidentit, me përjashtim të disave. Zoti Trump madje po merr mbështetjen nga një ligjvënës i Nju Jorkut në një qark të Dhomës së Përfaqësuesve që Presidenti Biden e fitoi herën e fundit.
Pengesat e dukshme vijnë nga udhëheqësi i republikanëve në Senat, Mitch McConnell dhe disa senatorë të lartë republikanë, të cilët duken thellësisht të kujdesshëm lidhur me një rikthim të munshëm të zotit Trump dhe ende nuk i kanë dhënë mbështetje.
“Nuk kam asnjë njoftim për të bërë për zgjedhjet presidenciale, në fakt, të gjithë ju mund të kujtoni se kam qëndruar i pa përfshirë”, tha zoti McConnell përpara zgjedhjeve në Nju Hempshër. Ai kishte akuzuar ashpër zotin Trump në vitin 2021, duke fajësuar presidentin e mundur në zgjedhje për sulmin në Kapitol, por megjithatë votoi për ta liruar atë nga akuza gjatë procesit kundër zoti Trump, në Senat.
McConnell ka sinjalizuar se do të mbështeste secilin kandidat që do të siguronte emërimin e republikanëve në zgjedhjet paraprake. Një koment të ngjashëm ka bërë para gazetarëve të mërkurën edhe zyrtari i dytë më i lartë i republikanëve në Senat, John Thune nga Dakota e Jugut, por zoti Trump nuk e vlerëson këtë lloj mbështetje si të mjaftueshme.
Ai dëshiron një mbështetje të plotë.
Ligjvënësja Marjorie Taylor Greene, aleate e zëshme e zotit Trump, tha se partia ndodhet në një moment të një “ndryshimi real”.
“Çdo republikan që nuk është i gatshëm të përshtatet me politikat e tij, ne po i zhdukim plotësisht nga partia. Kjo është e vërteta!”, shkroi ajo më vonë në rrjetet sociale.
Deri më tani, zoti Trump ka marrë mbështetje nga 30 senatorë republikanë dhe rreth 120 ligjvënës republikanë, shifra këto shumë më të larta sesa mbështetja për rivalen Nikki Haley apo edhe Ron DeSantis, Guvernatorin e Floridas që pezulloi fushatën e tij pas rezultatit zhgënjyes në Ajova. Më vonë ai vendosi të mbështesë ish-Presidentin Trump.
Ekspertët kanë paralajmëruar se demokracitë që përballen me kërcënime si përpjekja e zotit Trump për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020, kanë një mundësi më të mirë për të mbijetuar kur partitë ngrihen në mbrojtje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në vend që të ushqejnë teoritë e rreme, siç kanë bërë Trump dhe aleatët e tij në Kongres.
Kjo nuk po ndodh, pasi zoti Trump vazhdon të mbledhë mbështetje në marshimin e tij drejt marrjes së emërimit nga Partia Republikane për zgjedhjet presidenciale.
“Njerëzit duan të rreshtohen pas kandidatit”, tha me keqardhje senatori republikan Mitt Romney, i vetmi që votoi për të dënuar zotin Trump në të dyja rastet kur Dhoma e Përfaqësuesve, ngriti akuza ndaj zotit Trump.
“Ashtu siç ndodhi katër apo tetë vjet më parë, njerëzit fillimisht thonë gjëra mjaft të forta”, tha Senatori Romney. “Më pas, kur ai bëhet zyrtarisht kandidati i partisë, ata përkulen dhe i puthin unazën, siç ka thënë edhe vetë Donald Trump”.
Gazetarët e pyetën Senatorin Romney nëse edhe ai do vepronte njësoj?
“Nuk do ta bëj një gjë të tillë”, tha zoti Mitt Romney.
Ekipi i ish-Presidentit Trump thotë se sigurimi i mbështetjes nga ata që kishin rezerva ka qenë më i lehtë sesa mund të mendohet, duke këmbëngulur se nuk ka fushata presioni, apo mënyra që thuhet se zoti Trump përdori për t’i tërhequr ligjvënësit, përmes telefonatave dhe darkave disa orëshe në rezidencat e tij private në Mar-a-Lago dhe Bedminster.
Në fakt, senatorët republikanë Ted Cruz dhe Josh Hawley, të cilët iu bashkuan përpjekjeve të dyshuara të zotit Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2020, por që nuk e kanë thënë publikisht nëse do e mbështesnin apo jo atë, u përballën me paralajmërimin e ish-Presidentit në rrjete sociale për të qenë “shumë të kujdesshëm”. Ai u kujtonte fushatat për rizgjedhjen e tyre. Senatori Hawley i ofroi mbështetje menjëherë pas kësaj.
Senatori Cruz, gjatë një interviste me agjencinë e lajmeve ‘Associated Press’ kujtoi se ai dhe ish-presidenti debatuan ashpër me njëri-tjetrin gjatë garës së vitit 2016. Gjatë kësaj kohe zoti Trump ofendoi publikisht bashkëshorten dhe familjen e senatorit. Pas fitores së zotit Trump, Senatori Cruz tha se ishte aleati “më i fortë” i ish-presidentit në Senat.
“Nëse ai do të zgjidhet në nëntor dhe shpresoj se do të zgjidhet, unë do të jem sërish aleati më i fortë i Donald Trumpit në Senat”, tha Senatori Cruz.
Ndonjëherë ligjvënësit nuk flasin drejtpërdrejt me zotin Trump, por me ekipin e tij, që punon për të siguruar mbështetjen brenda partisë. Ky ekip udhëhiqet nga ish-Drejtori Politik i Shtëpisë së Bardhë, Brian Jack, i cili mbetet ndërlidhësi i tij kryesor me Kapitolin.
Jack, aktualisht këshilltar i lartë i fushatës, tha se sigurimi i mbështetjes nuk ka qenë aspak i vështirë, duke pasur parasysh qindra e qindra orë që Presidenti Trump ka kaluar në zhvillimin e marrëdhënieve dhe lidhjet e thella që ai mban me të gjithë në parti./ VOA