Kryeministri Edi Rama ka reaguar në “Twitter” në lidhje me rrëmbimin e 3 efektivëve të Policisë së Kosovës nga forcat serbe.
Rama thotë se për këtë rast duhet pritur rezultati i investigimit të KFOR-it, teksa thekson se Shqipëria është në mbështetje të ndërkombëtarëve.
Teksa nuk shpreh asnjë kritikë për Serbinë, kreu i qeverisë shkruan se kritikët e kanë luftën e humbur ndaj tij.
“Kush thotë se po heshtim apo kush kërkon t’i hedhim benzinë zjarrit duke ngritur akuza ndërkohë që KFOR-i po investigon rastin, nuk do t’ia dijë as për Kosovën e as për Shqipërinë, po vetëm për luftën e stërhumbur politike me mua apo për politikën e luftës imagjinare me Serbinë. Prandaj më duhet edhe njëherë t’u kujtoj se Shqipëria është pjesë e bashkësisë euroatlantike dhe ka fiks të njëjtën linjë të kësaj bashkësie, e cila bombardoi Serbinë dhe krijoi shtetin e Kosovës! Ne presim fjalën e KFOR-it që po heton rastin dhe i qëndrojmë de-eskalimit imediat“, shkruan Rama në rrjetin social.