Parlamenti Evropian ka kërkuar intensifikimin e reformave kyçe politike dhe administrative për hapjen e negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
“Shqipëria është në rrugën e duhur drejt anëtarësimit në BE. Vendi, aktualisht po përgatit një reformë shumë ambicioze në Drejtësi që i jep përgjigje shqetësimeve më të rëndësishme të qytetarëve dhe që do të ndihmojë në luftimin e korrupsionit në jetën e përditshme. Tani liderët politik të saj duhet të ruajnë këtë vrull dhe të vazhdojnë zbatimin e reformave”, tha raportuesi për Shqipërinë në PE, Knut Fleckenstein.
Në kërkesat e PE-së për Shqipërinë në mënyrë që t’i propozohet Këshillit të BE-së hapja e negociatave për anëtarësim në union, theksohet se duhen intensifikuar përpjekjet në zbatimin e ligjit, reformën në drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, administratës publike dhe të drejtave themelore.
Nga ana tjetër, eurodeputetët shprehën shqetësim për përhapjen e gjerë të korrupsionit në arsim, shëndetësi, drejtësi dhe disa fusha të tjera.
“Përhapja e gjerë e auto censurës mes gazetarëve, që ndonjëherë pengohen fizikisht për të mbuluar ngjarje specifike, dhuna dhe kërcënimet për shkak të punës, është gjithashtu një çështje shqetësuese, shtojnë ata.