Koreja e Veriut ka raportuar atë që e përshkruan si rastin e parë të dyshuar me koronavirus.
Agjensia shtetërore e lajmeve KCNA tha se një person i cili u arratis në Korenë e Jugut tre vjet më parë, u kthye javën e kaluar dhe kishte simptoma Covid-19.
Udhëheqësi Kim Jong-un zhvilloi një takim urgjent me zyrtarë të lartë, duke imponuar një karantinim në qytetin kufitar të Kaesong.
Koreja e Veriut, një shtet i fshehtë, kishte thënë më herët se nuk kishte raste Covid-19 – por analistët thonë se kjo nuk ka të ngjarë.
“Një ngjarje emergjente ka ndodhur në qytetin Kaesong, ku një i arratisur që shkoi në jug tre vjet më parë, një person që dyshohet të jetë infektuar me koronavirusin u kthye në 19 korrik pasi kaloi në mënyrë të paligjshme linjën e demarkacionit”, tha KCNA.
Në mbledhjen e së shtunës, Kim urdhëroi një “sistem maksimal urgjence” që të përmbajë virusin.
KCNA shtoi se Kim gjithashtu filloi një hetim se si personi kishte arritur të kalonte kufirin e fortifikuar, duke paralajmëruar përgjegjësit se “një dënim i rëndë” do të jepej.
Në të njëjtën kohë, Koreja e Jugut nuk ka raportuar për ndonjë kalim të paligjshëm të kufirit të çmilitarizuar ditët e fundit.
Koreja e Veriut mbylli kufijtë e saj dhe futi në izolim mijëra njerëz gjashtë muaj më parë, pasi virusi përfshiu tërë globin.
Në fillim të këtij muaji, Z. Kim përshëndeti “suksesin e shkëlqyer” të vendit të tij në trajtimin e Covid-19. /Opinion.al