Kryeministri Edi Rama, në episodin e radhës të “Flasim”, përsëriti sërish rritjen e pensioneve në bazë bonusi mujor.
“Ky do të jetë mandati i rritjes së përvitshme të pensioneve, përveç se do të marrin këtë dhjetor bonusin e plotë, nga janari do të kenë rritje më të shtrirë muaj për muaj bazuar mbi logjikën e bonusit përmbi indeksimin e përvitshëmn. Ky moment do të vazhdojë vit pas viti dhe pensioni do të rritet duke shkuar dhe përputhur me objektivat ambicioze të vendosura dhe të shpallura gjatë fushatës elektorale. Konkretisht, pensioni urban me vitet e plota të punës do të shkojë 40 mijë lekë të reja nga 27 350 sot. I pjesshëm mesatarisht në 22 mijë lekë të reja nga 15 850. Rurali në 18 mijë lekë të reja nga 11 500 sot. Familjari 18 mijë në 14 sot. I invadilitetit në 30 mijë nga 20 sot. Për të qenë konkert sa i përket vitit që vjen, nga janari 2026, pensionet do rriten cdo muaj si vijon. Këtu nuk hyn indeksimi vjetor. Urbani në vitet e plota të punës do të rritet me 1800 lekë të reja, urbani i pjesshëm me 800 lekë të reja, rurali me 1 mijë lekë…Në vitet në vijim projeksioni financiar dhe i dakordësuar në të gjithë procesin e buxhetimi do të jetë me shifra të dyfishuara për secilë në 2027, të trefishuara në 2028 dhe të pesë fishuara në 2030. Vlera e zotuar do të jetë e realizuar në respekt të 83 mandateve që na janë dhënë pikërisht duke besuar se ne themi atë që bëjmë dhe bëjmë atë që themi.”, tha Rama.
















