Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim publik në Elbasan për ligjin për Bashkëqeverisjen.
Ndër të tjera, ai tregoi se nuk ka patentë dhe se nuk ka për ta marrë asnjëherë atë. Rama tha se i ka këmbët e gjata dhe i duket e ngatërruar.
“Nëse Edi Rama ka aplikuar për patentë makine, gjë që nuk kam për ta bërë asnjëherë me thënë të drejtën sepse nuk jam i zoti të ngas makinë, plus kam edhe këmbët e gjata dhe shumë e ngatërruar.
Nëse aplikoj tek drejtoria e transporteve po them kot se nuk di fare si merret patenta dhe më duhen edhe 7 dokumente të tjera. Këta të drejtorisë së transportit që duhet të më japin mua patentën nuk do të më shikojnë me sy mua por do të punojnë aty që edhe ato 7 dokumentet e tjera që duhet t’ia çoj unë do t’i marrin ata për mua.
Pra çdo qytetar do të jetë rehat nuk do të ketë përballë fytyra nga më të ndryshmet se bëjnë sikur u dhemb koka, sikur do ti japë fëmijës qumësht, sikur i ka vdekur vjehrra për herë të 9-të dhe të thonë hajde nesër dhe pasnesër dhe kuptohet se duhet ti japësh lekë sepse nuk të japin shërbim”,-tha Rama.