Lufta në Ukrainë, situata energjetike dhe sulmet kibernetik të Iranit ndaj vendit tonë ishin në fokus të një takimi të nivelit të lartë në kuadër të sesionit të 77 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kryeministri Rama bëri një panoramë të situatës së përgjithshme ku informoi se së fundmi sistemet digjitale të qeverisë shqiptare u sulmuan nga Republika Islamike e Iranit, përfundim ky i arritur pas një ekspertize të detajuar të skuadrës Microsoft dhe skuadrës së agjencive të specializuara amerikane.
“Për këtë, arsye u ndërprenë në mënyrë të menjëhershme marrëdhëniet diplomatike me Iranin”-tha Rama. Kryeministri tha ndër të tjera se i gjithë rajoni po përballet me sulme të kësaj natyre, përfshi këtu Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Kreu i qeverisë gjithashtu ritheksoi mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës, ndërsa sa i takon diskutimeve mbi krizën energjetike në shkallë globale, Rama tha se Shqipëria nuk varet nga gazi rus por bazohet 100 % në energjinë e burimeve hidrike.