I pranishëm në tryezën e dialogut mes qeverisë dhe biznesit eksportues, ku u prezantua platforma e re ExportOn, kryeministri Edi Rama deklaroi se prodhimet Made in Albania, janë markë cilësie dhe një pasaportë për rrugën e integrimit në BE.
Rama u shpreh se qeveria do të mbështesë bizneset që do të synojnë marrjen e kësaj pasaporte.
“Për ta vendosur eksportuesin në qendër dhe për ta çuar në nivel tjetër marrëdhëniet e eksportuesit me shtetin shqiptar. “Made in Albania” është një markë cilësie dhe një pasaportë për BE. Ne do të mbështesim fuqimisht ata që do e synojnë marrjen e kësaj pasaporte, duke hequr dorë nga ideja se konkurrenca me çmim të ulët mund t’i çojë larg dhe duke u fokusuar me standarde të certifikuara nga BE, për të synuar fitim përmes vlerës së krijuar, në cilësi dhe jo sasisë. Mbështetja direkte që do të japim për certifikimet ndërkombëtare, ne e shohim si investim strategjik të shtetit, jo për t’i kursyer disa lekë, por për ta ndihmuar biznesin të integrohet më shpejt BE-së. Ashtu sikundër, edhe për të mbrojtur markën dhe pronësinë intelektuale të çdo prodhimi. Besojmë shumë tek manifaktura, te ata që po ecin në rrugën e transformimit dhe krijimin e vlerës së shtuar, duhet të bëjmë më shumë në ndihmë të sipërmarrjeve që do përfaqojnë transformimin.”,– tha Rama.















